Prokurorët e Sarandës i kërkojnë Arta Markut rikthimin e armëve për vetëmbrojtje, ndërsa pohohet se Prokuroria e Sarandës ka vështirësi hetimi në qytetin e Himarës për shkak të kompetencave.

Harta e re territoriale e vendit dhe mospërshtatja e legjislacioneve ka sjellë problemet e para, të cilat kanë prekur organin e Prokurorisë. Një raport të Prokurorisë së Sarandës, shprehet se me ndarjen e re territoriale janë krijuar shumë probleme në hetimin e ngjarjeve kriminale në zonën e Himarës.

Sipas këtij raporti, kjo Prokurori ka tagër pjesorë me kompetencën territoriale mbi Bashkinë Himarë, çka pamundëson hetimet. Por nga ana tjetër, prokurorët në raportin e tyre shprehen se kanë bërë maksimumin për të mos krijuar konfuzion dhe apelojnë që kjo situatë të zgjidhet.

Ndryshimi i hartës territoriale, ku tashmë Njësia Administrative e Lukovës është pjesë e Bashkisë Himarë dhe mospërshtatja e legjislacionit të ri ka krijuar konfuzion për kompetencën tokësore,

pasi tashmë pjesë të “ish-Rrethit të Sarandës” (struktura “Rreth” praktikisht nuk ekziston më) janë brenda kësaj njësie administrative, madje dhe zona shumë pranë të qytetit të Sarandës, me orientim administrativ në Bashkinë Himarë.

Më tej, në raportin e tyre prokurorët apelojnë për zgjidhje: “Në këto rrethana është vepruar mbi bazën e praktikës shumëvjeçare, deri më tani janë evituar problemet, për shkak të zotimit tonë profesional, por kjo situatë mbetet për t’u zgjidhur në interes të punës dhe komunitetit”.

Por ky nuk është i vetmi shqetësim i këtij organi, pasi ky organ kërkon që prokurorët të ripajisen me armë dhe për këtë duhen marrë masa, pasi kjo do shërbejë për sigurinë e prokurorëve.

Ndërsa me ligjin e ri për armët, zyrtarëve publikë përfshi deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë e një pjesë tjetër të administratës civile ju hoq e drejta e armëmbajtjes.