Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e sotme në mediapërballë disa studentëve deklaroi se kërkesat e tyre janë të arsyeshme, por duhet dialog.

Shefi i qeverisë tha se protesta ka katër komponentë, dy janë PD dhe LSI, që janë futur në tubim të maskuar për të përfituar, e treta Lëvizja për Universitetin që sipas tij janë grup marksist larg qasjes me qeverinë dhe e katërta janë pjesa e studentëve që nuk janë pjesë e këtyre organizimeve.

“Sigurisht që kërkesat janë të gjitha të arsyeshme, por meritojnë një diskutim pikë për pikë, se nuk është çështja merre-lerë, por si të zbatohet secila prej tyre dhe sa kohë duhet. Tarifat janë problem për disa arsye, por jam i gatshëm që të shkojmë përtej kësaj.

E para nuk janë shpjeguar pse janë aq. Janë produkt i universitetit. I vendos universiteti. Tarifat janë një pjesë e kostos së studentëve, pasi qeveria financon 75%. Ligji ka marrë miratimin e rektorëve dhe dekanëve. Jam i gatshëm që të bëj këto dhe më shumë se kaq.

I falënderoj studentët që janë këtu, pasi kanë pasur dilema dhe presionin që pse vajtën. Tani është më e thjeshtë, pasi doli në pah ajo, që protesta ka tre komponentë të strukturuara dhe me një axhendë e tyre dhe ka komponentin e katërt që është ai i studentëve që kanë hallin e tyre dhe nuk janë pjesë e tre të tjerëve.

Dy komponentë janë PD dhe LSI, opozita që ka premtuar prej kohësh me revolucion dhe se do ta cojë këtë punë deri në rrëzimin e qeverisë, tjetri është Lëvizja për Universitetin, që nuk kanë asnjë lidhje me qasjen tonë, janë grupim marksistësh që nuk njohin Marksin.

Studentët e tjerë i kanë këto probleme, por kanë një tmerr që të asocohen me politikën, vijnë nga zona të ndryshme, por nuk janë pjesë e një organizimi. Kjo punë duhet ndarë. Tre strukturat që e kanë gatuar janë pjesa që nuk më intereson. Opozita maskohet dhe futet në turmë për të imponuar axhendën e vet. Studentët duhet të marrin fatin e tyre në dorë. Qeveria nuk është magazinë” tha Rama.

Njëra nga kërkesat e studentëve është Karta e Studentit. Kryeministri Rama u shpreh se kjo kërkesë është detyrë e universitetit. “Këtë që ju bëni sot e kam bërë kur isha në moshën tuaj. Kartën e studentit sa për dijeni duhet ta bëjnë universitetet. Për Bibliotekën Shkencore e kemi nisur procesin dhe në janar ose shkurt do të keni bibliotekën virtuale. Por këto janë logjistikë, këtu thelbi është financimi. Por si do të bëhet? Te tarifat duhet diskutim. Studentët që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike duhet të paguajë shteti 100%.

Juve mund t’u plotësohen kërkesat, por do u pini lëngun nëse nuk zgjidhni. Ju në universitet jeni njerëz që nuk u llogarit njeri, nuk u përfill” tha Rama.

E  ndërsa e cilësoi si grup marksist, Rama u shpreh se kërkesat e lëvizjes Për Universitetin nuk plotësohen. “Lëvizja për Universitetin kërkon gjëra që nuk plotësohen. Arsim falas për të gjithë në Shqipëri nuk ka” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme se tarifat i vendos universiteti dhe jo qeveria, ndërsa shpjegoi edhe procedurën. “Ju jeni sot këtu, kalojnë tre ditë dhe ju do të ikni dhe do të vijojnë ata që djegin goma dhe prandaj dua që të mos mbarojë me kaq.

Që do të thotë që ka disa pika që nuk kam lidhje. Me komunikimin brenda universitetit nuk kam lidhje, tarifat i kanë vendosur rektorët dhe dekanët. Nëse ata do të kërkonin zero tarifa.

Tavani është vënë se kur u bë tentativa e parë, të gjitha ishin shumë të larta sa i keni dhe qeveria u detyrua të thotë jo, duhet një tavan dhe qeveria financon në cdo kosto tuajën pjesën më të madhe” tha ai.

Artikulli paraprakSULMI TERRORIST NË STRASBURG, 2 TE VDEKUR, 11 TE PLAGOSUR, DISA NË GJENDJE TË RENDE
Artikulli tjetërPROTESTA, BASHA THIRRJE QYTETARËVE TË TIRANËS: MENDONI SI PËR FËMIJËT TUAJ