Trembëdhjetë viktima të tjera janë shënuar nga epidemia e pneumonisë virale në Kinë. Personat të cilët humbën jetën në provincën Hubei si pasojë e koronavirusit, kanë çuar në këtë mënyrë bilancin e viktimave në 56 njoftojnë autoritetet lokale.

Po ashtu, janë konfirmuar edhe 323 shpërthime të reja të virusit. Të dhënat e fundit nga provinca Hubei, qendra kryesore e epidemisë, bëjnë me dije se ka shkuar në 1.610 numrin e përgjithshëm i të infektuarve në të gjithë vendin. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga qeveria qendrore.

Ndërkaq, pjesë e vendeve të alarmuara për shkak të koronavirusit – pas disa rasteve të zbuluara në Tajlandë, Vjetnam, Malajzi, Makao, Hong-Kong, Tajvan, Singapor, Japoni, Korenë e Jugut, Nepal, Australi, Francë, ShBA (një në Seattle dhe një në Chicago)- do të jetë edhe Kanadaja, pasi dyshohet për zbulimin e rastit të parë të koronavirusit .

Autoritetet vendase thanë se një person është zbuluar në Toronto, i cili dyshohet të jetë i infektuar me koronavirus. Bëhet fjalë për një burrë rreth të 50-tave, banor i qytetit kinez Ohan, vend ku ky virus i ri u shfaq për herë të parë në dhjetor.

Kina ka vendosur në izolim një zonë me 56 milionë banorë ndërsa në rregjim të ashpër është qyteti i Wuhanit me 11 milionë banorë.Një shtetase amerikane që jeton atje nuk ka mundur të largohet por ka publikuar pamjet nga rrugët dhe sheshet e Wuhanit ku askush nuk lëviz.

Të gjithë janë mbyllur nëpër banesa, dhe nuk kontaktojnë me askënd si masë për të mos u prekur nga virusi i përhapur në qytet.