Emri i parë si kandidat për prokuror të SPAK-ut është ai i prokurorit të Krimeve të Rënda, Klodian Braho.

Ai aplikoi zyrtarisht sot dhjetë ditë pas çeljes së garës .Por kush është Klodian Braho, cila është karriera e tij në sistemin e drejtësisë dhe cilat janë dosjet e nxehta që ka hetuar?

Braho është prokuror magjistrat. Ai ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë ku u bë i njohur si njeriu që hetoi dhe çoi në gjyq ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika, pasi ky i fundit akuzohej për shpërdorim detyre në falsifikimin e dokumenteve për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Edhe pse kishte në dorë dosjen e një prej njerëzve më të pushtetshëm në PS-në e kohës kjo nuk e pengoi aspak prokurorin Klodian Braho ta çonte Shpëtim Gjikën në dyert e drejtësisë.

Pas Vlorës, Braho transferohet në Tiranë ku emërohet prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e mban edhe aktualisht.

Në këtë prokurori, Braho po heton një tjetër dosje të nxehtë, atë ndaj ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i vënë nën hetim për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Së fundi, Klodian Braho çoi në pranga gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi i cili u filmua teksa kërkonte favore seksuale për një vendim, ndërsa ishte paguar edhe 5 mijë euro nga një grua për marrjen me vendim gjykate të kujdestarisë së fëmijës së saj.

Gara për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion u çel më 7 janar të 2019. Por për rreth 10 ditë, kushti që familjarë e të afërm të prokurorëve duhet të kontrollohen për çdo komunikim elektronik e llogari bankare, duket se kishte trembur prokurorët për të shpallur kandidaturat e tyre.

Emri i Klodian Brahos është i pari nga radhët e prokurorëve të Krimeve të Rënda që bëhet pjesë e garës për prokuror të strukturës së re që krijohet nga reforma në drejtësi për hetimin e zyrtarëve të lartë.

Artikulli paraprakANTIBIOTIKU I RREZIKSHËM, FARMACISTËT JANË LAJMËRUAR QË TA KUFIZOJNË
Artikulli tjetërKRIMET NDRYSHOJNË MASËN PËR ISH-TRAJNERIN E KOMBËTARES SË FEMRAVE, ‘ARREST SHTËPIE’ PËR ARMIR GRIMËN