Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të gjerë, ka konkluduar se në Shqipëri nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat dhe studimet e përkujdesit social.

Skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, si instrument i MSHMS dhe institucioneve të varësisë për përkujdesjen sociale, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre.

Ineficienca e sistemit elektronik lidhet me aplikimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila nuk është vlerësuar në bazë të kushteve koherente të familjeve në nevojë.

Mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit dhe me studime dinamike për riintegrimin e individëve në shoqëri.

Sipas KLSH, shuma e përcaktuar nga skema e Ndihmës Ekonomike nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri.

Njëkohësisht studimet e tjera të kryera mbi vlerën e minimumit jetik nga institucione publike nuk janë marrë dhe nuk mund të merren si shifra zyrtare, për aq kohë sa nuk janë miratuar me akte ligjore apo nënligjore.

Ndërkohë, mungesa e vlerësimit të ndikimeve të skemës së re të Ndihmës Ekonomike në zonat pilot lidhur me riintegrimin e individëve bën që problemet e hasura gjatë fazës së pilotimit në të ekzistojnë ende tani që skema aplikohet në të gjithë vendin duke cenuar përmbushjen e një kërkese të këtij objektivi strategjik.

Por edhe numri i familjeve që kanë dalë nga skema e Ndihmës Ekonomike nëpërmjet përfshirjes në tregun e punës vazhdon të jetë shumë i ulët.