Procesi i skanimit të drejtësisë shqiptare, për të evidentuar dhe nxjerrë jashtë sistemit elementët e korruptuar, ka hyrë në një tjetër fazë të ‘nxehtë’.

Tridhjetë e dy gjyqtarë dhe prokurorë ‘luftojnë’ aktualisht në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në rrjetën e dytë dhe të fundit të Vetingut, për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re.

13 subjekte janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, organi bazë i Vetingut, por Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra.

Me propozim të ONM, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, gjyqtarit Artur Malaj, gjyqtarit Gentian Medja dhe prokurorit Gentian Osmani.

ONM ka kërkuar edhe shkarkimin e prokurorëve Bensik Cani dhe Adnan Kosova, por Komisioneri Publik nuk ka vendosur ende nëse do të apelojë vendimet për konfirmimin e tyre në detyrë, në Kolegjin e Apelimit. Më parë, ONM kërkoi edhe shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedes.

Rekomandimi u pranua nga Komisioneri Publik. Më pas, Kolegji i Apelimit vendosi të shkarkonte përfundimisht nga detyra Bashkim Deden. Ndërkaq, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit, shkarkimin e 9 prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë, të cilët kaluan rrjetën e parë të Vetingut.

Ata janë prokurorët Besnik Muçi, Antoneta Sevdari dhe Arben Dollapaj si dhe gjyqtarët Artur Malaj, Nertina Kosova, Astrit Faqolli, Alma Brati, Edmond Islamaj dhe Alma Kolgjoka. Grupi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të lartpërmendur vazhdojnë betejën në Kolegjin e Apelimit për të qëndruar në sistemin e drejtësisë.

Të shkarkuarit
Nëntëmbëdhjetë gjyqtarë dhe prokurorë, të shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kërkojnë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit rikthimin në detyrë.

Pjesë e grupit të dytë janë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi Arben Broci, Artan Zeneli dhe Admir Thanza. Po ashtu, kërkon rikthimin në detyrë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari.

Vendimin e shkarkimit e kanë ankimuar edhe prokurorët Ramadan Troci, Rovena Gashi dhe Dritan Rreshka. Po ashtu, vendimet e shkarkimit i kanë ankimuar edhe gjyqtarët Ervin Metalla, Alma Liçaj, Entela Prifti etj.

Kolegji i Apelimit ka caktuar trupat gjykuese si dhe ka nisur procesin e shqyrtimit të animimeve për secilin gjyqtar dhe prokuror. Vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të jenë vendimtare dhe përfundimtare për fatin e të dy grupeve në raport me drejtësisë.

Vendimet përfundimtare
Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, deri më tani, ka vendosur të shkarkojë përfundimisht nga detyra gjyqtarin Besim Trezhnjeva, anëtarin e Kushtetueses Fatos Lulo, anëtarin e Gjykatës së Lartë Tom Ndrecën,

gjyqtarin Artan Lazajn, anëtarin e Kushtetueses Fatmir Hoxha si dhe anëtaren e Kushtetueses Altina Xhoxhaj. Gjithashtu, Kolegji i Apelimit ka lënë në fuqi vendimet e KPK, duke shkarkuar përfundimisht nda detyra prokurorët e Apelit Gentian Trenova, Luan Kaloçi dhe Besa Nikëhasani.

Artikulli paraprakMOT I KEQ NË ITALI, EVAKUOHEN 200 PERSONA TË BLLOKUAR NË BORË
Artikulli tjetërDY VITE PA DRITËRO AGOLLIN, FAMILJARËT GATI TA KTHEJNË SHTËPINË E TIJ NË MUZE