Federata Shqiptare e Basketbollit prezantoi në ambientet e sallës Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova”,

në Parkun Olimpik të Tiranës trajnerët të rinj të Kombëtareve të basketbollit, duke nisur nga Kombëtarja e të rriturve, ajo e U-20, ajo e u-18 dhe ajo e U-16 për meshkuj dhe ajo e U-18 dhe e U-16 vjeçarëve për femra.

Kombëtarja e të rriturve të meshkujve do të drejtohet nga ish-basketbollisti i njohur Afrim Bilali. 39-vjeçari ka qenë zëvendës-trajner i Kombëtares gjatë këtyre viteve të fundit dhe tanimë promovohet në detyrën e trajnerit të parë.

Kombëtarja U-20 do të drejtohet nga trajneri i ri Melzin Lazimi, i cili drejton aktualisht kryesuesen e Superligës së meshkujve, Goga Basketin.

Kombëtarja e U-18 do të drejtohet nga trajneri amerikan Uill Holand dhe ndihmësi i tij shqiptar, Henri Moja. Kombëtarja U-16 do të drejtohet nga trajneri malazez, Aleksandër Çuroviç.

Ndërkaq, tek femrat, Kombëtarja e U-18 do të drejtohet nga trajnerja aktuale e Shoqatës së Basketbollit të Femrave të Tiranës, Mirza Alibegaj, e cila e ka të qartë misionin e saj me këtë ekip. Edhe Kombëtarja e U-16, do të drejtohet nga trajnerja aktuale e të rriturave të Partizanit, Ledina Koçi.

Në përfundim të kësaj ceremonie, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka theksuar ky sport po bën hapa përpara, por në kuadër të të gjithë realitetit shqiptar.

Ndërkaq, kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar, ka pritshmëri gjithmonë e më të larta për këtë cikël eliminator.