Mazhoranca është dakord në parim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e DSIK. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se i kanë edhe emrat gati për këtë komision.

Balla: Kur bie fjala për komisionet hetimore deri më sot nuk ka ndonjë kërkesë nga ana e opozitës që të jetë refuzuar prej nesh. Pavarësisht se në shumicën e rasteve kërkesat bien në kundërshtim me parashikimet e kushtetutës.

Jemi dakord në parim me kërkesën, e cila në transpozimin nga kërkesë në vendim të Kuvendit duhet të jetë e qartë në përcaktimet që bën ligji për komisionet hetimore i vitit 2002, vendimet e gjykatës kushtetuese dhe duhet që vendimi duhet të jetë i qartë edhe sa i përket parashikimeve në ligjin për informacionin e klasifikuar.

PS i ka gati emrat për anëtar të komisionit, opozita nuk ishte ende gati për emrat.

Lidhur me reformën zgjedhore, Balla tha se janë gati për të pilotuar në 200 qendra, votimin dhe numërimin elektronik.

Balla: Jemi në kohë për të pilotuar në 200 qendra votimi, të paktën aspektet e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, qoftë votim tërësor elektronik, të numërimit elektronik.

I kemi mundësië të bëjmë që në zgjedhjet e 2019. Në rast se kjo teknologji rezulton funksionale le të bëhemi gati në kohë për të parë në nivel kombëtar në zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2021. Unë dua të rikujtoj, për PS e vetmja kërkesë ka qenë çështja e votimit jashtë territorit.

Kjo nuk lidhet me zgjedhjet e 30 qershorit, por me zgjedhjet e fund qershorit 2021. Me të miratuar reformën zgjedhore të fillojmë punën për adresimin e këtyre çështjeve.