Komisioni i Medias ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e Presidentit Meta mbi rishikimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave.

Vendimi u mor nga anëtarët e Komisionit mesditën e sotme (11 shtator). E vetmja votë pro dekretit të Metës për rishqyrtimin e projektligjit për Akademinë e Shkencave ishte ajo e kryetares së Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri.

Dhimitri u shpreh haptazi kundër këtij projektligji duke shtruar pyetjen: Prapë do të vazhdojë politika të drejtojë shkencën?!

Mbledhja nuk kaloi pa debate mes deputetëve. Fidel Ylli duke ju drejtuar kryetares së komisionit kërkoi që të tregohet më shumë kujdes në diskutimet mbi akademikët.
Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Akademinë e Shkencave më 9 gusht.

Çfarë parashikonte dekreti
Kreu i shtetit ka argumentuar se projekti bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

Më tej në kërkesën për rishikimin e ligjin thuhet se e Akademisë së Shkencave të Republikës i jepet një status më i lartë në hierarkinë e kërkimit shkencor.

Madje në argument konstatohet se me këto ndryshime Akademia e Shkencave kthehet në institucionin e vetëm përsa i përket gjuhës shqipe. Ndërsa kreu i shtetit argumenton se ky është një proces vendimmarrës madhor që duhet të përfshijë edhe katedrat përbërëse të fakulteteve të gjuhës, shkencave sociale, gazetarisë etj.

“Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972”, thuhet në dekret.

Një tjetër pikë që kërkohet të rishihet është mbivendosja e funksioneve të Aademisë së shkencave me ligjin për arsimin e lartë, ku institucinet e arsimit humbasin autonominë
Një tjetër pikë ku kreu i tërheq vëmendjen është në ndryshimet për Marrjen e statusit të anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ku thekson se pranimi i kandidatëve prezumohet se kryhet individualisht dhe jo në grup dhe shqyrtohet nga Asambleja, rast pas rasti dhe mbi bazën e kritereve jo diskriminuese pozitive ose negative me karakter etnik për secilin kandidat të paraqitur.

Vërejtje janë paraqitur dhe në faktin se në Ligjin e ri të Akademisë së Shkencave shkelet Kushtetuta sa i përket kompetencave të presidentit. Kjo pasi synohet vendosja e një afati 10-ditor, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të kryejë emërimin e kryetarit. Gjë që është e paparashikuar në Kushtetutë.