DUHET TË PAGUAJNË ENERGJINË QË UJËSJELLËSI FSHAT NUK E KA SHLYER PËR OSHEE.Pothuajse të gjitha Komunave të Qarkut të Shkodrës që janë pjesë e shoqërisë aksionere me ndërmarrjen e ujësjellësit fshat  u është bllokuar buxheti prej afro një jave. Në këtë mënyrë, komunat nuk mundet që të bëjnë asnjë lëvizje me buxhetin e tyre.

Përveç pagesa për paaftësinë dhe ndihmën ekonomike të gjitha zërat e tjerë si investime, pastrimi, gjelbërimi, paga e punonjësve dhe gjithçka tjetër është e bllokuar. Shkak për këtë është bërë një udhëzim i qeverisë ku detyron komunat që të paguajnë faturën e energjisë elektrike për ndërmarrjen e ujësjellësit fshat për vitin 2013 dhe peridhën nga shtatori i këtij viti e deri tani. Në fakt komunat muaj për muaj kanë paguar çmimin me të cilin ujësjellësi shet ujin. Pavarësisht kësaj, ligji detyron komunat që në rast së ndërmarrja e ujësjellësit nuk paguan energjinë elektrike ndaj OSHEE atëherë këtë faturë duhet ta shlyejnë komunat në bazë të përqindjes që kanë si aksioner në shoqërinë aksionere ku bëjnë pjesë. Në këtë mënyrë çdo komunë ka 7-12% të aksioneve çka do të thotë se shuma mesatare që duhet të paguajnë për energjinë shkon deri në 18 milionë lekë të vjetra. Kjo ka sjellë një bllokim të buxhetit të komunave në degën e thesarit. Mesa duket ujësjellësi fshat nuk ka paguar faturat e energjisë për 2013-ën dhe periudhën nga shtatori i 2014-ës e deri më tani e tashmë kërkon që të ulë humbjet e të rrisë arkëtim duke sjellë tani këtë situatë kaotike për komunat. Nga sa mësohet pjesa më e madhe janë fatura të sjella dy herë, fatura që janë paguar dhe nuk janë zeruar në sistemin e OSHEE. Janë edhe disa gjoba të anulluara nga enti rregullator i energjisë por që sërish OSHEE nuk i ka zeruar nga sistemi si dhe faturat e kontratave për objekte që realisht nuk ekzistojnë. Ka komuna që për 17 milionë lekë të vjetra janë bllokuar deri në 60 milionë lekë të vjetra të buxhetit. Edhe ato kryekomunar qëkanë tentuar të paguajnë për të zhbllokuar buxhetin nuk kanë mundur sepse dega e thesarit i është përgjigjur duke thënë se s’ka një plan për fundvitin dhe se duhet pritur vitit tjetër. Kjo pengon komunat të cilat nuk mundet që të përpilojnë dy buxhete. Në këtë mënyrë nëse ky borxh për energjinë që ujësjellësi fshat duhej të paguante ndaj OSHEE mundet që krejt buxheti i komunave të konfiskohet edhe pse ato fatura janë të konfirmuara.