Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të dominojnë axhendën e parlamentit që pritet të nisë sot orën 17:00. Në këtë sesion të ri legjislativ do të formohet KQZ-ja e re si dhe nëse do të gjendet dakordësia mes PS dhe PD në Këshillin politik do të implementohen në Kod Zgjedhor edhe hapja e listave si dhe koalicionet parazgjedhore.

Paketa me 7 ligje të ndryshuara për shkak të marrëveshjes së 5 qershorit do të duhet të marrë kartonat jeshil të deputetëve në Parlament.

Shtatori politik ka nisur vrullshëm, ndërsa Parlamenti hap dyert sot për një sesion të rëndësishëm legjislativ.

Në orën 10:00 të paradites është mbledhur online Konferenca e Kryetarëve.

Në mbledhje u vendos ngritja e Komisionit që do të zgjedhë KQZ e re.

“Kuvendi ka detyrimin për të ngritur komision të posaҫëm parlamentar, me përfaqësim propocional nga cdo grup parlamentar, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kanditaturave të paraqitura për vendin e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it.Ju bëj me dije se propozimin tuaj për anëtar në komisionin e posaҫëm duhet ta paraqitni pranë Kuvendit brenda datës 09.09.2020” thuhet në shkresën e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtuar krerëve të grupeve parlamentare ku u kërkon të dërgojnë emrat e anëtarëve.

Në bazë të dispozitave tranzitore, opozita jashtëparlamentare do të dërgojë një të dërguar të posaçëm, i cili do të zgjedhë anëtarët që i takojnë PD-LSI në KQZ.

Opozita ka nënkomisionerin, 2 anëtarë të Komisionit Rregullator dhe 2 anëtarë të Komisionit të Ankesave.

Nga opozita parlamentare kërkohen emrat për dy anëtarë në Komisionin e Posaçëm.