Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë kandidatin për SPAK, prokurorin Anton Martini.

Vendimi erdhi pas dy seancave dëgjimore të mbajtura me 10 dhjetor 2019 dhe 27 janar 2020.

Seanca e dytë dëgjimore ndaj prokurorit Anton Martini u zhvillua pas riçeljes së hetimeve prej një denoncimi mbi shortimin e çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës, gjatë kohës që ai ishte drejtues.

Sipas denoncimit, Martini kishte riorganizuar punën në prokurorinë e Shkodrës dhe më pas kishte ndarë çështje, duke ua hequr disa prokurorëve dhe vendosur të tjerë pa respektuar procedurat e shortimit. Në një rast, ai akuzohej se kishte pranuar dorëheqjen e një prokurori nga një çështje dhe kishte bërë caktimin e një prokurori tjetër.

Prokurori Anton Martini dha një panoramë më të detajuar të shortimit. Ai tha se kishte marrë pa dëshirën e tij detyrën e drejtuesit, pasi “kishte pasur çështje të rëndësishme në hetim në Tiranë” dhe se kishte gjetur probleme të organizimit në prokurorinë ku ishte dërguar.

Martini u hetua nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko.

Gjatë seancës së 10 dhjetorit, relatorja Qirko vuri në dukje se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës, ndërsa edhe pse u tha se i ishin dërguar pyetje sa i përket kriterit të profesionalizmit, nuk u bënë me dije se cilat ishin çështjet për të cilat ishte kërkuar shpjegim.

Ndërkohë, sa i përket kriterit të pasurisë, Martini u përball me disa çështje që dilnin kryesisht nga mënyra se si ai kishte paguar këstet për apartamentin e blerë në vitin 2016 në Tiranë dhe po ashtu disa dhurime nga vëllezërit.