Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës pas një hetimi për rreth 2 muaj me metoda speciale kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Cigarettes”.

Specialistët kanë dokumentuar me prova shkencore se disa shtetas, punonjës në Autoritetin Portual Durrës transportonin mallra kontrabandë, të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin merrnin steka duhani të markave të ndryshme pa pullë fiskale të autoriteteve shqiptare në tragetet që ankoroheshin në Portin e Durrësit duke i futur në mënyrë kontrabandë me një mjet ambulancë dhe në vijim u’a shisnin personave të ndryshëm.

Janë arrestuar në flagrancë :Artan Dhima 49 vjeç, banues në Durrës, doktor në Autoritetin Portual Durrës;
Zamir Çyrbja 41 vjeç, shoferi i ambulancës në Autoritetin Portual Durrës.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
300 paketa të markave të ndryshme;
1 mjet i llojit ambulancë, tip Volkswagen, i cili shërbente për futjen e cigareve kontrabandë në Portin e Durrësit;
1 automjet tip Ford që shërbente për transportin e cigareve nga Porti I Durrësit në shpërndarjen e tyre pranë personave të ndryshëm;
2 aparate celularë.

Nga ana e grupit hetimor vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëmnga detyrimet doganore ose të akcizës” ,

” Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim parashikuar në nenet 172, 178 248, 25 të Kodit Penal.