Mungesa e investimeve në qëndrën e qytetit të Koplikut vijon të jetë një nga problematikat kryesore për qytetarët. Edhe pse është premtuar shpesh herë për ndërtimin e një lulishte në qëndër të qytetit apo edhe krijimin e hapesirave të tjera të gjelbërta, deri më tani nuk është realizuar.

Të shqetësuar nga kjo situatë janë kryesisht të moshuarit, të cilët shprehen se në mungesë të një lulishte ku të kenë mundësinë për të kaluar kohën mes miqsh, i detyron t’i drejtohen lokaleve.

Qytetarët thonë se institucionet përgjegjëse duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave që kanë, në mënyrë që të kryhen investimet e duhura për ndryshimin e pamjes së këtij qyteti.

Në qytetin e Koplikut pavarësisht premtimeve, vijon të mungojë një park për fëmijët e vegjël, për të moshuarit, por edhe për të gjithë ata që nuk preferojnë lokalet.