Përtej lajmit tragjik për një tjetër jetë të humbur mbrëmjen e djeshme, duke çuar në 7 numrin e viktimave, kryeministri Rama ka dhënë edhe një lajm të gëzueshëm. 14 persona të infektuar me COVID-19 janë shëruar dje. Personat kanë rezultuar negativ pas testeve të bëra, duke e çuar në 31 numrin total të personave që e kanë fituar këtë betejë.

“Lajm i mirë: 14 të shëruar sot”, shkruan Rama.

174 persona janë infektuar deri tani në Shqipëri, ndërsa një tjetër e moshuar ndërroi jetë nga virusi vdekjeprurës i COVID-19 mbrëmjen e djeshme duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në shkallë vendi në 7. E moshuara ishte një 85-vjeçare nga Tirana, e cila ishte transportuar me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore drejt Infektivit pasditen e djeshme.

E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike.