Rruga e kombit ditën e sotme është mbingarkuar me makina që vinin nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Policia e shtetit bën me dije se prej orës 03.00 të mëngjesit kanë hyrë në Shqipëri, 22145 persona me 4058 mjete. Si pasojë në doganë nga Morina deri të Ura e Drinit të Zi është krijuar një trafik i rënduar automjetesh. Shkak për këtë trafik është bërë edhe punimet që po bëhen tek ura e Drinit të Zi si dhe hyrjet e mëdha të makinave për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Policia e shtetit është angazhuar për të liruar trafikun, megjithatë lëvizja e lirë është e pamundur për shkak të fluksit.

Ndërkohë shumë persona që vijnë nga Kosova kanë shprehur shqetësimin e tyre duke thënë se punimet nuk duhet të kryhen në mes të sezonit turistik.

“Kjo nuk është normale” shprehet një shofer kamioni.

“Nuk e di ca behet, në mesa të sezonit, nuk e di…” shprehet një tjetër.

“Kemi nxehtë” thotë një zotëri nga Kosova.

“Tmerr i madh, i mblodhën makinat, nxehtë i madh, nuk po e di pse është bërë kështu.” shpjegon një udhtar,

Ndërkohë Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje

Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.

Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit tonë, ka shtuar prezencën në rrugën e kombit.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës .