Kosova pavarësisht supergolit të Milot Rashicës nuk ka arritur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 kundër Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve.

Të besuarit e Shaland humbasin kështu mundësinë për t’u shkëputur nga rivalët në grup si pasojë e gabimit të Rrahmanit.

Kosovës nuk i ka mjaftuar supergoli i Milot Rashicës për të dalë me pikë të plota nga sfida me Ishujt Faroe. “Dardanët” e drejtuar nga Shaland edhe pse kaluan të parët në avantazh janë ndalur me shifrat 1-1 në transfertë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për ta pasi në minutën e 9-t Milot Rashica I kaloi në vantazh me një goditje të pakapshme nga jashtë zone. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës vendasit do të përfitonin nga pasaktësia e lojtarëve miq.

Një gabim i Rrahmanit dhe Kosova kapet në kundërsulm. Është Joensen ai që finalizon saktësisht aksionin dhe që vulos takimin, pavarësisht se Kosova u përpoq për më shumë se 35-s minuta t’I jepte një tjetër udhë sfidës.

Si rrjedhojë Kosova humbet mundësinë për të rritur diferencën e pikëve me ndjekësit, duke patur parasysh se sfida tjetër e këtij grupi mes Azerbajzhanit dhe Maltës u mbyll me shifrat 1-1.

Në Ligën D Grupi 3 Kosova renditet e para me 8-t pikë pas katër ndeshjesh, Azerbajzhani vjen I dyti me 6-t pikë, Ishujt Faroe të tretët me katër pikë dhe Malta e fundit me vetëm dy pikë.