Kuvendi i Kosovës miratoi “rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë” me 79 vota pro dhe pa praninë e deputetëve serbë.

Në rezolutë akuzohet shteti i Serbisë që gjatë vitit 1999 shumë civilë shqiptarë të gjallë dhe të vdekur u bartën në Serbi për t’i fshehur gjurmët.

1600 persona akoma cilësohen të zhdukur. “Janë gjetur varreza masive në Serbi. Shteti serb vazhdon të fshehë të vërtetën edhe për mbi 1600 persona të zhdukur. U shkatërruan mbi 100 mijë objekte banimi, ndërtesa shkollore, objekte fetare e kulturore, shkolla, xhami dhe kisha katolike”, thuhet më tej në rezolutë”, e cila masakrën e Reçakut me 15 janar të vitit 1999 e shpall ditë të gjenocidit serb në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës i bëri thirrje shtetit të Serbisë që të sjellë para drejtësisë kriminelët që kanë bërë krime në Kosovë“.

“Të sigurohet ndëshkimi i atyre që kanë kryer dhe kanë nxitur krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Mohimi i krimit të gjenocidit konsiderohet fyerje e rëndë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”, thuhet në rezolutë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mbështeti rezolutën dhe nismën për krijimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë, duke e cilësuar sic thotë “si një nga punët e mençura të Kuvendit të Kosovës”. “Të gjithë duhet të jemi së bashku të dënojmë gjenocidin, spastrimin etnik të Serbisë dhe njerëzit që kanë kryer këto krime, njerëzit e aparatit shtetëror të Serbisë të dalin para drejtësisë”, tha Presidenti Thaçi.

Edhe para se të nxirret “Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për gjenocidin serb në Kosovë”, Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat për plotësim të Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë të të gjithë personave që kanë kryer krime. Këtë e konfirmon ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili e pranon që Kosova do ta ketë të vështirë 20 vjet pas luftës, që të gjejë dhe gjykojë në Kosovë personat përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë t’i sjellim në Kosovë të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës së viteve 1998-99, mirëpo është me rëndësi të kalojë kjo predispozitë për faktin që pavarësisht nëse nuk mund t’i arrijmë t’i nxjerrim fizikisht në gjykatat tona, këta njerëz të marrin dënimin e merituar dhe të jenë të ndjekur nga drejtësia kosovare që herë do kur ta vuajnë dënimin për krimet e kryera”, thotë Abelard Tahiri.

Reagimet nga Serbia

Zyrtarë të qeverisë në Beograd ndërkaq, pavarësisht nismës dhe rezolutës së Prishtinës, nuk besojnë që bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë krijimin e një Tribunali që do të gjykojë krimet serbe në Kosovë. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daciq, ka thënë se “paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Tribunali që do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë”.

Krahas rezolutës për themelimin e Tribunalit për Krimet serbe në Kosovë, ka edhe një nismë për nxjerrjen e një ligji që sanksionon mohimin e krimeve. Tashmë Ministria e Jashtme e Kosovës e ka nxjerrë një vendim që i shpall persona non-grata të gjithë zyrtarët e Serbisë, që mohojnë krimet serbe në Kosovë. Dy zyrtarë serbë në qeverinë e Kosovës, një ministër dhe një zëvendësministër javë më parë u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi këta dy zyrtarë në deklarime publike thanë se “shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, muajin e shkuar gjatë një përkujtimi në 20-vjetorin e Masakrës së Mejës, ku u vranë mbi 300 civilë gjatë luftës, tha se “mohimi i ngjarjeve të tilla ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa”.

“E dimë se ka njerëz që do të mohonin realitetin e dokumentuar mirë të mizorive të kryera në Mejë dhe vendet e tjera në Kosovë. Mohimi i këtyre ngjarjeve përdhos kujtimin e të vdekurve, ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa në përpjekjet për të ndërtuar shtete demokratike në paqe me njëri-tjetrin”, pati thënë ambasadori Philip Kosnett. Sipas tij, pranimi i krimeve kundër njerëzimit të kryera këtu dhe në pjesë të tjera të këtij vendi është jetik, për të siguruar që ato të mos përsëriten kurrë më.

Sidoqoftë, përfaqësues të organizatave joqeveritare që angazhohen për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, thonë se me iniciativa të tilla, rezoluta siç është kjo e institucioneve të Kosovës për themelimin e një Tribunali për krimet serbe në Kosovë, nuk mund të krijohet një Tribunal ndërkombëtar, për faktin që sipas tyre, “Tribunalet ndërkombëtare për krime lufte krijohen vetëm nga OKB-ja.

Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë joqeveritare që angazhohet për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, thotë se nga evidencat e tyre 13,500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq 1600 persona akoma konsiderohen të zhdukur, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës.