Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 4 vite burgim Kostandin Xhuvanin për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve” dhe me 18 muaj burgim ish-infermierin e spitalit Psikiatrik në Elbasan Kujtim Budani, i akuzuar për “Falsifikim të dokumenteve”.

Vendimi për dënimin e djalit të ish-deputetes së PS Luiza Xhuvani është marrë disa ditë më parë nga tre gjyqtarë të Gjirokastrës, të cilët pasi analizuan provat e dërguara në gjyq nga prokurori, deklaruan fajtor dhe dënuan Xhuvanin dhe Budanin.

Tashmë dy personat e dënuar Budani dhe Xhuvani i janë drejtuar gjykatës së Apelit Gjirokastër, ku kërkojnë prej saj të shpallen të pafajshëm.

Kujtojmë që veç dënimit me 4 vite burg të marrë në Gjirokastër, Kostandin Xhuvani është dënuar me 35 vite burgim për vrasjen e katër personave Edison Jahon, Enea Xhajn, Arbër Demirajn dhe italianin Gianpaolo Azzola, më 4 nëntor 2014. Ishte pikërisht kjo vrasje e katërfishtë që riktheu në skenë historinë e armës në Gjirokastër në prill 2014, për të cilën akuzohej Xhuvani.

Kjo dosje penale është hapur dhe mbyllur disa herë nga prokuroria, por këtë herë pas disa verifikimeve të imtësishme, prokuroria arriti të zbulojë të gjithë kronologjinë e këtij krimi të ndodhur në Gjirokastër.

Kryerja e ekspertizës balistike të armës që përdori Xhuvani në masakrën e katërfishtë në Tiranë me tre gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e Gjirokastrës, rezultoi se ishte e njëjtë me armën që u përdor në ngjarjen e 25 prillit 2014 në Gjirokastër, ku ndodhi një konflikt me armë, pa të lënduar.

Sipas këtij akti ekspertimi, rezulton se: “…tre gëzhojat e fiksuara në lidhje me ngjarjen e datës 25.04.2014, në lokal “Lei–Lui”, në Gjirokastër, janë qitur nga pistoleta model 54, kalibër 7.62 mm me nr.14053073..” – thuhet në vendim.

Por gjatë marrjes në pyetje Kostandin Xhuvani në fazën e hetimit deklaroi se nuk ishte autor i kësaj ngjarjeje dhe se ai ditën e 24 prillit, kishte qenë në Spitalin Psikiatrik në Elbasan.

Dhe për nevojë të verifikimit të kësaj alibie, nga policia gjyqësore u këqyr dhe u mor një kopje e librit të konsultave në këtë spital, nga ku rezultoi se në një nga fletët e këtij libri ishte shënuar emri i Kostandin Xhuvanit në datën 25 prill 2014, ora 17:00.

I pyetur si person ndaj të cilit zhvilloheshin hetime Kostandin Xhuvani, deklaroi se ditën e ngjarjes ai ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe më pas ai ka shkuar në spital, pas konsumimit të një sasie alkooli. Ai mohoi të kishte qenë në qytetin e Gjirokastrës dhe për më tepër të ishte autori i veprave për të cilat hetohej.

Ndërkohë gjatë hetimeve prokuroria ka zbuluar falsifikim në librin e konsultave në Spitalin Psikiatrik, çka ka çuar në ngritjen e akuzës ndaj ish-infermierit të spitalit Psikiatrik Kujtim Budani.

Artikulli paraprakPOLICIA E SHTETIT MBLEDH 104 MLN LEKË PËR TË PREKURIT NGA TËRMETI
Artikulli tjetërTËRMETI DËMTOI DHE DREJTORINË RAJONALE TË TATIMEVE