Edhe pse hoqi dorë nga posti i prokurorit, pas 32 viteve karrierë dhe i shpëtoi procesit të vettingut, Petrit Fusha nuk i ka shpëtuar dot hetimit nga organi i akuzës ku ai ishte pjesë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka referuar në Prokurorinë për Krime të Rënda raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ, për ish-prokurorin Petrit Fusha.

Me anë të një njoftimi publik, KPK ka bërë me dije se lidhur me rastin në fjalë është vënë në dijeni edhe Prokuroria e Përgjithshme.

Ish-prokurori me hotel 500 mijë USD në tokën që i fali daja
Motra dhe babai i dhanë ish-prokurorit 157 mijë USD për ndërtimin e godinës, fiton 54 mijë euro në vit nga qiraja

Petrit Fusha, në deklaratën fillestare të pasurisë, në vitin 2003, deklaron se daja i ka dhuruar një tokë bujqësore, me sipërfaqe 2000 m2, në fshatin Mjull-Bathore të Tiranës. Mbi këtë tokë, ish-prokurori Fusha ka ndërtuar një godinë, projektuar për hotel, me sipërfaqe ndërtimi 1117.3 m2.

Fillimisht, kati i parë i godinës ka funksionuar si bar-restorant. Në deklaratën e pasurisë, Fusha thotë se paratë për ndërtimin e godinës i ka dhënë babai dhe motra, konkretisht me 11 500 000 lekë ka kontribuar babai dhe me 6 000 000 lekë ka kontribuar motra.

Pra, Petrit Fushës i ka dhënë babai dhe motra 157 mijë USD. Vlera e godinës është 34 500 000 lekë ose rreth 300 mijë USD. Për të mbuluar tërësisht koston e ndërtimit, Fusha thotë se ka marrë një kredi 13 600 000 lekë si dhe ka shitur një tokë bujqësore me sipërfaqe 3600 m2.

Disa vite më vonë, pikërisht në vitin 2007, ish-prokurori Fusha deklaron se ka shtuar vlerën e godinës me një pishinë dhe ambiente ndihmëse në objektin bar-restorant, ku investimi shtesë është 25 000 000 lekë.

Për shtimin e ambienteve ndihmëse, kreu i Prokurorisë së Tiranës deklaron se ka marrë një kredi me vlerë 235 mijë euro me interes 8 për qind. Ndërkaq, në vitet 2003-2006, bashkëshortja e Petrit Fushës deklaron fitime nga bar-restoranti në shumat 4 100 000 lekë, 4 900 000 lekë, 5 000 000 lekë dhe 4 900 000 lekë. Në vitin 2007 dhe në vazhdim, zonja e ka dhënë restorantin me qira, me 50-60 mijë euro në vit. Për 10 vite, 2007-2017, çifti ka fituar mbi 500 mijë euro vetëm nga qiraja e restorantit.

Gjatë vitit 2007, Fusha thotë se daja i ka falur një tjetër pasuri të paluajtshme, konkretisht i ka dhuruar 2050 m2 tokë arë. Më 02.07.2015, ai thotë se prindërit i kanë dhuruar tokë arë me sipërfaqe 1750 m2 në Tiranë, me vlerë 600 000 lekë. Po sipas deklaratës fillestare të pasurisë, Fusha rezulton pronar i një tjetër toke bujqësore me sipërfaqe 700 m2, me vlerë 1 000 000 lekë asokohe si dhe pronar i një apartamenti banimi me sipërfaqe 115 m2.

Dorëheqja sapo KPK nisi verifikimet, i shpëtoi vettingut por jo drejtësisë
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës dha dorëheqjen në shkurt të këtij viti. Në njoftimin e dorëheqjes, Petrit Fusha shprehej se “pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë. Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta”.

Po cila është arsyeja reale dhe në ç’rrethana e ka dhënë dorëheqjen ish-kryeprokurori i Tiranës?

Petrit Fusha dha dorëheqjen një ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka dërguar rezultatet e verifikimit si dhe ka kaluar barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve të KPK.
Pasuria fillestare e ish-kreut të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha

-Pronar me 100% i një toke bujqësore, dhuruar nga daja dhe kthyer në truall me sipërfaqe 2000 m2 në fshatin Mjull-Bathore. Mbi truallin është ndërtuar një godinë trekatëshe e hipotekuar me sipërfaqe. 1117.3 m2, projektuar për hotel, por funksional në momentin e deklarimit vetëm kati i parë si bar-restorant.

Vlera e truallit është 8 000 000 lekë dhe vlera e ndërtesës është 34 500 000 lekë. Për ndërtimin e godinës në bazë të një aktmarrëveshje nënshkruar më 18.09.2000 kanë kontribuar dy persona të tjerë (lidhje familjare babai dhe motra), përkatësisht nga 11 500 000 lekë dhe 6 000 000 lekë.

Burimi i investimit për zotin Fusha është vlera e përfituar më herët nga shitja e një toke bujqësore me sip. 3600 m2 dhe vlera 13 600 000 lekë nga kredi bankare.

-Pronar me 100% i një toke bujqësore me sipërfaqe 700 m2, 1 000 000 lekë, përfituar nga ligji për tokën.

-Pronar i një apartament banimi me sipërfaqe. 115 m2, i pahipotekuar, blerë sipas kontratës së sipërmarrjes me të ardhura nga shitja e banesës përfituar me privatizim dhe me të ardhura nga paga. Për këtë apartament 12 000 dollarë janë pa paguar.

-Bashkëshortja, kredi bankare me principal 13 600 000 lekë për ndërtimin dhe pajisjet e bar-restorantit.

Pasuri në vitet e mëvonshme
Subjekti në vitin 2007, deklaron se ka shtuar vlerën e hotelit me një pishinë dhe ambiente ndihmëse në objektin bar-restorant, investimi shtesë 25 000 000 lekë.

Subjekti deklaron se ka shtuar pasurinë po në vitin 2007 duke përfituar tokë arë 2050m2 me akt dhurimi nga persona të familjes Daja.

Në vitin 2012 subjekti ka Hipotekuar apartamentin e deklaruar më parë si pronë e fituar me kontratë sipërmarrje. Po në 2012 apartamenti është rivlerësuar pranë ZQRPP në vlerën 12 868 800 lekë.

Shitur në vitin 2013 tokë are me sipërfaqe 300 m2, vlera e shitjes 2 000 000 lekë.Shkëmbyer sipas kontratës së datës 16.09.2015 apartament banimit deklaruar në vitin 2006 dhe rivlerësuar në vitin 2012 me një apartament tjetër, pjesë e regjimit martesor.

Blerë më 25.02.2015 vreshtë me sipërfaqe. 800 m2 në Tiranë, me të ardhura nga paga, 400 000 lekë.Blerë më 30.01.2015 arë me sipërfaqe. 1390 m2 në Tiranë, me të ardhura nga paga, 600 000 lekë.

Artikulli paraprakZARF ME NJË PLUMB BRENDA…KËRCËNOHET MINISTRI I BRENDSHËM I ITALISË, MATTEO SALVINI
Artikulli tjetërBUJAR LESKAJ RIKTHEHET NË KRYE TË KLSH-SË