KQZ ka vendosur të hapë të premten kutitë e 11 qendrave të votimit në bashkinë e Lezhës.

Përfaqësuesit e PS në KQZ mbështetën ankesën e Eduard Ndocajt, i cili konkurroi përballë Pjetin Ndreut në Lezhë, pavarësisht se për 3 ditë me radhë rrëzuan ankesat e Bindjes Demokratike për hapjen kutisht.

Skënderi: Unë kërkoj mbështetjen e një nga kolegëve që konform këtyre dy neneve të mbështesin kërkesën time që ne të marrim këto prova që gjenden në kutitë e votimit, pra të bëjmë rinumërim.

PS propozoi që nëse manipulimi me votat faktohet atëhere të ketë ndjekje penale për komisionerët e përfshirë.

Salianji: Përderisa kjo mospërputhje ekziston unë bashkohem me kërkesën e ankuesit dhe i kërkoj KQZ të hapen këto kuti dhe KQZ të verifikojë ka apo jo shkelje, nëse ka të marrë masa të cilat parashikon ligji, nëse nuk ka shkelje pastaj të vendosi njëherë e mirë dhe në mënyrë përfundimtare në lidhje me vullnetin që ka vendosur zgjedhësi.

KQZ certifikoi në mbledhjen e saj edhe mandatin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj si dhe atë të Shkodrës, Valdrin Pjetri.