Pak ditë më parë është shpallur një prej fituesve të anketës “10 sportistët më të mirë të vitit 2017” nga KOKSH.

Bëhet fjalë për boksierin vlonjat Krenar Zeneli ku gjatë vitit që lamë pas, ka arritur të shpallet kampion i Shqipërisë me Vllazninë dhe njëkohësisht ka marrë edhe kupën e boksierit më të mirë të kampionatit.

Ai është shpallur edhe fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i medaljes së artë në “Adem Jashari” të Kosovës, duke marrë edhe kupën e boksierit më të mirë, fitues i medaljes së artë edhe në “Gongun e Artë” të Maqedonisë. Në Kampionatin Europian të 22 vjeçarëve ka zënë vendin e pestë duke qenë shumë pranë zonës së medaljeve.

Krenar Zeneli prej shumë kohësh ndodhet në Shkodër i cili po përgatitet bashkë me trajnerin Zef Gjoni dhe dy sportistët e tjerë të Vllaznisë, Arjon Kajoshin e Syrjan Marinajn për Kampionatin Europian të rradhës që do zhvillohet muajin e ardhshëm në Rumani.

Në lidhje me aktivitetet e ardhshme ku do të marrë pjesë, 22 vjeçari është shprehur se “Padyshim që ato çfarë kam arritur gjatë vitit 2017 më kanë entuziasmuar por njëkohësisht edhe do më motivojnë për të bërë më shumë në të ardhmen. Objektivat e mia janë të qarta: Synoj të futem në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian që zhvillohet në muajin e ardhshëm dhe po ashtu edhe në Lojërat Mesdhetare në muajin qershor.

Unë nuk do ta kem më mendjen tek aktivitetet kombëtare por ata ndërkombëtare. Po sakrifikoj jo pak për këtë. Prej muajsh kam braktisur familjen time në Vlorë dhe jam i grumbulluar në Shkodër. E bëj këtë sepse kam objektiva për të arritur dhe besoj se do ia dal”.

Sa për garat kombëtare, Zeneli lë të hapur mundësinë që të konkurrojë sërish edhe sivjet për Vllazninë ndonëse ende nuk e ka mbyllur marrëveshjen me trajnerin Gjoni.

 

Artikulli paraprak“FAMILJA E SHËNDOSHË ISLAME”
Artikulli tjetërBORA NË SHKODËR, KRIJOHEN PROBLEMATIKA