Në Chania të Kretës është zhvilluar edhe këtë dielë mësimi i gjuhës amtare për fëmijt e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të ishullit grek. Por nisja e mësimit ka qenë e vështirë për shkak të vandalizmave që kishin kryer kundërshtarët e kësaj iniciative. Siç raporton televizioni publik ERT, mesnatën e të shtunës persona të panjohur kishin hedhur vajra makinash në mjediset e shkollës dhe kishin kyçur me dryna dyert e klasave, duke tentuar në këtë mënyrë të pengonin zhvillimin e mësimit. Por ata janë ndeshur me reagimin e fuqishëm të pjesës më të madhe të shoqërisë vendase dhe të autoriteteve lokale, si dhe të komunitetit shqiptar që jeton e punon në atë qytet.

“Megjithë këtë akt të pamoralshëm”, nënvizon televizioni publik grek, “më shumë se 40 vogëlushë shqiptarë e bënë normalisht mësimin e tyre, ndërsa në oborrin e shkollës ishin mbledhur arsimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe të komunitetit shqiptar, që shprehën mbështetjen e tyre ndaj kësaj të drejte të pamohueshme të fëmijve të emigrantëve”. Në muret e shkollës ishin shpalosur banderola ku shkruhej: Jo ksenofobisë, racizmit dhe fashizmit”, apo “Shkolla të hapura për të gjithë fëmijët. Jo racizmit dhe neonazistëve”.

Antonis Vardakis, shef i departamentit të arsimit në bashkinë Chania, tha se mësimet do të vazhdojnë. “Mësimet do të vazhdojnë në këtë shkollë. Ky është vendim i këshillit bashkiak. Fëmijtë janë brenda në klasë dhe po zhvillojnë mesimin e tyre” Që prej muajit të kaluar, kur filluan mësimet në gjimnazin Nr. 1, ka pasur vazhdimisht incidente, shkaktuar prej një pakice që përpiqej të pengonte mësimin e gjuhës shqipe në ambientet e shkollës.

Artikulli paraprakAVRAMOPULOS SOT NË TIRANË, DO NËNSHKRUHET MARRËVESHJA ME XHAFËN
Artikulli tjetërDW REPORTAZH: MBI 100 TË RINJ SHQIPTARË NË SIRI, GJYSMA JANË VRARË