Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Kreu i FRPD, Belind Këlliçi ngre akuza ndaj qeverisë.

Sipas tij, në 7 vite qeverisje, Edi Rama ka nxitur dëshirën e më shumë se 79% të të rinjve për ta lënë një herë e mirë Shqipërinë.

STATUSI I PLOTE

Qeveria shqiptare kishte shansin historik këtë vit që në kuadër të mbajtjes së presidencës së OSBE-së, të ishte një zë i fortë dhe në arenën ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e të rinjve. Por kjo nuk ka sesi të ndodhë kur Edi Rama, në 7 vite qeverisje, ka nxitur dëshirën e më shumë se 79% të të rinjve për ta lënë një herë e mirë Shqipërinë, kur

raporti i World Economic Forum rendit Shqipërinë si vendin e dytë më të keq në botë për punësimin e të rinjve, ku përditë e më shumë të rinj profesionistë, mjekë, infermierë, ekonomistë, inxhinierë IT, largohen nga Shqipëria, duke e kthyer vendin tonë në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për numrin e azil kërkuesve në shtetet e BE, më shumë se të gjitha vendet e rajonit të mbledhura së bashku.

Kjo nuk mund të ndodhë në një vend ku Ministria e Arsimit dhe Rinisë e ka humbur tërësisht legjitimitetin e saj, duke u kthyer në një organizatë partiake, e cila nuk i shërben më interesave të të rinjve, e mbi të gjitha, i ka kthyer institucionet e edukimit publik në streha dhune dhe abuzimi.

Për t’i vënë kapakun gjjthë këtij dështimi spektakolar, Edi Rama ka vendosur si Përfaqësuese Speciale të OSBE-së për çështjet e rinisë dhe sigurisë, asistenten e tij personale, nëpunësen politike të PS, një person pa eksperiencë sa i takon çështjeve rinore, të edukimit apo sigurisë, Kejsi Seferin.

Kanë kaluar tashmë 8 muaj që nga marrja e kryesisë së këtij institucioni dhe ende sot nuk kemi parë asnjë iniciativë promovuese për të rinjtë, asnjë nisëm konkrete për nxitjen e punësimit të të rinjve, asnjë diskutim publik për parandalimin e emigrimit të trurit dhe krahut të punës, pa përmendur këtu shansin e humbur, që si një nga vendet anëtare të OSBE me moshën mesatare më të ulët, ne të kishim një impakt sensibilizues dhe në arenën ndërkombëtare.

Ndaj le të shërbejë dita e sotme si një moment reflektimi, që të rinjtë të kuptojnë rolin e tyre vendimtar dhe potencialin që kanë për të ndryshuar Shqipërinë, duke ndryshuar së pari në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhmen e tyre. Shqipërinë Europiane mund dhe do ta bëjnë vetëm të rinjtë e saj 🇦🇱🇪🇺