Një krim i rëndë ka ndodhur në një familje në Gjakovë të Kosovës, ku burri ka vrarë me armë vajzën dhe bashkëshorten. Sipas mediave kosovare, vajza 9-vjeçare dhe nëna e saj rreth 40 vjeç dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.

 

Nga të dhënat paraprake hetimore, autori shkoi në banesën e ish-bashkëshortes së tij dhe pas një konflikti me të, qëlloi me kallashnikov në drejtim të 40-vjeçares dhe vajzës 9-vjeçare. Shkaqet e këtij krimi të rëndë janë të panjohura. Sipas disa mediave kosovare, gruaja ishte kthyer së fundmi nga Shqipëria.

 

Ndërkohë, Policia e Kosovës sqaron se autori i vrasjes është i arrestuar.

 

“Menjëherë pas pranimit të këtij informacioni janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore duke ju përgjigjur vendit të ngjarjes me qëllim të hetimit, ekzaminimit dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me të arritur në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur dy viktima femra (nënë e bijë-fëmijë), të cilat dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.

 

Personi i dyshuar, i cili tani është tani është në ndalim policor është bashkë familjar i viktimave. Policia e Kosovës është angazhuar me të gjitha njësitë e saja relevante, me qëllim të hetimit dhe zbardhjes sa më parë të motivit të kryerjes së këtij rasti si dhe ndërmarrjen e masave shtesë në ofrim të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.