Në dy vitet e fundit, 23 persona janë zhdukur në qytetin e Vlorës. Dyshohet se një pjese e tyre janë viktima të grupeve të strukturuara kriminale.

Për këtë arsye, po heton edhe prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo ka në dorë dosjen e Leonard Mehmetit, i njohur ndryshe si “Nani” i cili rezulton i zhdukur në vitin 2016. Hetimi i kësaj dosje pati një ping-pong mes prokurorive.

Ajo fillimisht u hetua nga akuza e Vlorës, e cila dyshonte se pas zhdukjes qëndronte një grup kriminal dhe e referoi dosjen tek Krimet e Rënda. Por pas disa muajsh hetim Krimet e Rënda e dërguan përsëri në Vlorë, pasi nuk gjetën asnjë provë. Në fund prokuroria e Vlorës vendosi ta pezullojë hetimin për mungesë provash.

Vetë Prokuroria e Vlorës pati regjistruar 4 procedime me 6 të zhdukur. Mes tyre ishte dosja e biznesmenit Ardian Jahaj dhe punëtorit të tij Ariseld Maze. Prej vitit 2017 për fatin e tyre nuk dihet asgjë.

Në hetim prokuroria e Vlorës ka edhe rastet e zhdukjes se Ervis Troqes, të Elvis Pallës dhe Albano Xhaferrit. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Belgjika ku dyshohet se punonte për një grup kriminal atje.

Për zhdukjen e Xhaferrit, pak kohë më parë u përfol se kishte të bënte edhe Edison Harizaj, i cili u vra në Durrës në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 nëntorit së bashku me shokun e tij Genci Caca.

Policia e Vlorës ka dyshime se disa prej personave të zhdukur janë të përfshirë në ngjarje kriminale si shitja dhe transporti i lëndëve narkotike.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE