38 persona janë vrarë në Shqipëri 8 muajt e fundit. Një bilanc lufte, që ka nisur me vrasje mafioze, e krime pasioni dhe ka përfunduar me masakrën e Selenicës në Vlorë.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT dhe Policisë Shqiptare, që nga 1 janari i 2018-së deri në 25 gusht, kanë ndodhur 38 vrasje me dashje.

Që në ditët e para të janarit vendi do të tronditej nga vrasja e Emiljano Boçit, Devi Kasamit dhe krimit të pasioni nga Aldison Belulaj. Emiljano Boçi u ekzekutua vetëm 2 muaj pasi doli nga burgu, ku ishte dënuar për tentativë vrasje.

Autorët e kësaj ngjarje ende nuk dihen. Pak ditë më vonë Aldison Belulaj ka vrarë ish-të dashurën e tij Ariela Muratin dhe më pas veten.

Një ndër vrasjet tipike mafioze ishte atentati ndaj Devi Kasmit. Ai u qëllua poshtë shtëpisë së tij dhe autori i dyshuar është greku Efthymiou Efthymious.

Vrasja e Devi Kasmit u organizua nga një grup kriminal, dhe për vdekjen e tij dyshohet se u paguan shuma të mëdha parash.

Tirana u trondit përsëri në muajin shkurt ku u vra Memli Begalla. Për këtë ngjarje janë arrestuar Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Begalla u qëllua me 1 plumb në kokë dhe shkak dyshohen konfliktet e vjetra.

Vrasjet në familje dhe atentatet për shkak të së shkuarës kanë vijuar edhe në qytete të tjerë, si Durrësi, Pogradec, Dibër etj.

Në muajin prill në Tiranë u vra Mario Majollari. Ai ishte kthyer nga Suedia pasi iu refuzua azili. Autori i dyshuar është Kastriot Gjuzi, i cili dyshohet se e vrau Mario Majollarin për shkak të gjakmarrjes.

Në vitet 2000 babai i Marjo Majollarit, kishte vrarë vëllain e Kastriot Gjuzit.

Në 8 qershor një tjetër krim pasioni tronditi Tiranën. Xhaferr Mata vrau ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çunin dhe më pas veten. 31-vjeçari dyshohet se e vrau pasi 19-vjeçarja refuzoi të vazhdonte lidhjen me të.

Kejsi Hysa u vra në Nikël dhe u gropos në një fushë me kanabis. Në Shkodër në 15 korrik u vra Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Një vrasje ku Policia nuk ka ende asnjë autor të dyshuar.

Vrasja e 8 personave nga Ritvan Zykaj në Selencisë të Vlorës, është një ndër ngjarjet më të rënda të këtij viti. As në vitin e mbrapshtë 1997 një person i vetëm nuk kishte vrarë 8 persona të tjerë në Shqipëri.

Monstra i Selenicës shoi 2 familje të fshatit Resulaj dhe shkak ishte se e akuzonin për vjedhjen e pulave. 24-vjeçari është sot pas hekurave.

38 të vdekur në këto 8 muaj ngrenë alarmin për autoritetet. Shifra që për një vend të vogël si Shqipëria vënë në pikëpyetje sigurinë në vend.

Alarmi shtohet edhe për faktin se në 61 raste, vrasjet kanë mbetur në tentativë.