Një ditë përpara se Spanja të marrë kontrollin e Katalunjës, siç është paralajmëruar, Parlamenti rajonal u mblodh për të diskutuar nismën e qeverisë rajonale për pavarësi.

Udhëheqësi katalanas, Carles Puigdemont zgjodhi të mos thërrasë zgjedhjet rajonale, si një mënyrë për të zbutur ngërçin me Madridin, duke iu kërkuar deputetëve të diskutonin për hapat e ardhshëm. Qeveria spanjolle planifikon ta zhveshë nga fuqitë Puidgemontin. Senati në Madrid pritet të miratojë lëvizjen të premten, bazuar në nenin 155 të Kushtetutës. Turma të mëdha u mblodhën ndërkohë jashtë ndërtesës së qeverisë rajonale, në pritje të deklaratës së shumëpritur të Puigdemont. Shumë prej tyre shpresonin se ai do të shpallte pavarësinë, por kishte edhe spekulime se mund të thërriste zgjedhjet e parakohshme rajonale, në një përpjekje për të evituar qeverisjen nga Madridi.

Por, Puigdemont nuk bëri asnjë nga këto. “Unë kam qenë i gatshëm të thërrisja zgjedhjet, për sa kohë do të na jepeshin garanci. Tani i takon Parlamentit katalanas të marrë vendimet e mëdha”, tha Puigdemont. Puigdemont shpalli pavarësinë pas referendumit të 1 tetorit, që u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle, por ai menjëherë pezulloi implementimin, duke kërkuar bisedime. Gjatë sesionit parlamentar të së enjtes në Barcelonë, një zëdhënës i qeverisë tha se një propozim për të implementuar rezultatet e referendumit do t’i paraqitej deputetëve të premten. 

Artikulli paraprakKOMPLOTI NË MAL TË ZI, DËSHMITARI: MË PAGUAN RUSËT PËR TË RRËZUAR QEVERINË
Artikulli tjetërBRITANI, NDALIMI I EMIGRANTËVE ILEGAL, SHQIPTARËT NË VEND TË PARË