Bumi i ndërtimeve të reja do të vazhdojë me intensitet të lartë edhe gjatë viteve të ardhshme, të paktën referuar lejeve të ndërtimit, që kanë dhënë institucionet përgjegjëse.

Instititi i statistikave raportoi se vlera e lejeve të ndërtimit që janë miratuar nga bashkitë në gjysmën e parë të vitit u rrit me dy herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më konkretisht sipas INSTAT, nëse në periudhën janar qershor të vitit 2018, vlera e lejeve të miratuara për ndërtime ishte 177 milionë euro, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shifra kërceu në 335 milionë euro.

Prej tre vitesh sektori i ndërtimit po përjeton një ekspansion të fortë. Por çfarë po ndërtohet më shumë. Të dhënat e detajuara nga INSTAT tregojnë se pjesa dërrmuese e investimeve në ndërtim po shkojnë për pallate për banim dhe ndërtesa për qëllime tregtare si hotele, zyra dhe ambiente biznesi.

Sipas INSTAT, për gjysmën e parë të vitit u miratuan lejet për 147 milionë euro investime në ndërtim pallatesh për banim dhe po kaq për ndërtesa tregtare. Ndërsa vlera e lejeve të miratuara për punime inxhinierike, pra rrugë ujësjellësa apo linja telekomunikacioni ishte 41 milionë euro.

Të ndara sipas rajoneve, qëndra e bumit të ndërtimit rezulton Tirana. Sipas INSTAT, nga 335 milionë euro investime në ndërtim që u miratuan në gjysmën e parë të vitit, rreth 225 milionë euro ose mbi 2 të tretat janë dhënë nga bashkia e Tiranës.

Artikulli paraprak20 SHQIPTARËT MË TË FAMSHËM NË BOTË
Artikulli tjetërI KËNDUAN UÇK NË ULQIN, 5 TË RINJVE KOSOVARE U NDALOHET QËNDRIMI NË MALIN E ZI