Në komunën e Gjilanit në orët e para të mëngjesit është gjetur e vdekur kryeinfermierja e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Xhylie Hajdari, e cila dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Policia nuk ka dhënë detaje vetëm se e ka konfirmuar rastin për Kohën Ditore.“Një femër shtetase e Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Spitalin Rajonal të Gjilanit të cilët kanë deklaruar se nuk kanë informacion të detajuara për rastin në fjalë mirëpo kanë konfirmuar se bëhet fjalë për kryeinfermieren kryesore të Spitalit.

Nisret Hajrullahu, drejtor i spitalit të Gjilanit ka deklaruar se e ndjera ishte një punëtore e palodhur në punën e saj.

“Ajo nuk është sjellë në Spitalin Rajonal të Gjilanit pra në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes ka shkuar Qendra e Mjekësisë Familjare; më tej nuk di. Është motër kryesore e Emergjencës dhe ky është informacioni që kemi.

Ka qenë një motër e cila ka qenë një organizatore e mirë e punës e cila ka punuar me zell kurse për detajet tjera ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.
Xhylie Hajdari ishte sekretare organizative e gruas së AAK-së në Gjilan.