Saimir Bushi do të jetë kryeinspektori i ri i inspektoriatit të mjedisit në Shkodër. Tashmë pas dy muajsh pa një kryeinspektor më në fund ka ardhur edhe komandimi i ri në këtë institucion.

E gjithë puna dhe aktiviteti tek inspektoriati i mjedisit ishte bllokuar totalisht për shkak se për dy muaj me radhë institucioni qëndroi pa një drejtues. Edmond Tërthorja pas 5 vjetësh si kryeinspektor dha dorëheqjen duke u emëruar si administrator tek universiteti bujqësor i Tiranës.

Që pas largimit të tij askush nuk mendoi për të sjellë drejtuesit e ri. Kjo solli shumë probleme tek kryeinspektoriati i mjedisit. Për dy muaj me radhë fillimisht të gjitha pagat e punonjësve qëndruan të bllokuara për shkak se mungonte firma e titullarit.

Për të mos mjaftuar po ashtu i gjithë aktiviteti thuajse mbeti pezull për shkak se nuk mund të nxirreshin autorizimet apo urdhërat normal të punës aq më tepër që jemi në sezonin turistik dhe inspektoriati i mjedisit ka një volum të madh pune.

Përveç ndotjes apo problemeve të tjera ky inspektoriat duhet të merret edhe me matjen e zhurmave në plazhe, kryesisht atë të Velipojës ku ka një numër të madh pushuesish. As kjo nuk ka ndodhur vetëm për shkak të mungesës së kryeinspektorit.

Pritej që emërimi i ri të bëhej në fillim të shtatorit por është operuar më përpara duke marrë që tani këtë post.

Prezantimi i Saimir Bushit si kryeinspektor i mjedisit në Shkodër është bërë para pak ditësh ndërsa tashmë ai ka nisur punën në krye të këtij institucioni.

Fillimisht një prej punëve të para do të jetë zhbllokimi i pagave për punonjësit dhe më pas normalizimi i aktivitetit që duhet të bëjë ky inspektoriat në vazhdimësi.

 

Artikulli paraprakKFF VLLAZNIA, PËRGATITJE INTENSIVE PËR NË CHAMPIONS
Artikulli tjetërTRYEZË PËR NDOTJEN NË BREGDETIN E LEZHËS