Ndërsa lideri demokrat Lulzim Basha e mbylli protestën në selinë e PD-së, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, mbi 20 minuta nga mbyllja e tubimit, mbajti një deklaratë për mediat në selinë e partisë së saj.

E nisi me falenderime për qytetarët që morën pjesë në protestë. Por sulmoi personat që dhanë urdhrin për gazin lotsjellës, teksa bëri një deklaratë të fortë, sipas së cilës personat e prekur, do ta kenë personale me ta. Fjala është për ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama reagoi për protestën.Kreu i qeverisë në një postim në rrjetet sociale shpreh solidarizim për punonjësit e policisë që mbetën të lënduar me djegie në fytyrë nga hedhja e kapsollave, tymuesve dhe shashkave nga ana e protestuese, ndërsa sulmon opozitën që sipas tij është jo vetëm pa kokë drejtuese, por edhe pa të ardhme.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj e quan turp protestën e opozitës nisur nga fakti që nga dhuna mbetën të plagosur edhe efektivë ndërsa protestuesit goditën institucionet kushtetuese. Lleshaj tha se autorët do të mbajnë përgjegjësi.