GREQI

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka sqaruar situatën e vaksinës së COVID-19 duke qartësuar se ajo do të jetë falas në Greqi. Ai tha se nuk e di se kur Greqia do të ketë vaksinën, ose cilën prej atyre që po testohet pasi mund të jetë edhe më shumë se një.

Por Mitsotakis siguroi se vaksina në Greqi do të vijë më shpejt se sa të vijë më vonë. Gjithsesi ai deklaroi se në Greqi ajo do të jetë falas për qytetarët por jo nëse ajo do të jetë me detyrim apo jo. Ministri i Shëndetësisë së Greqisë, Vassilis Kikilias disa ditë më parë tha se vaksina do të vinte në fund të dhjetorit të 2020, dhe është ajo që po teston Universiteti i Oksfordit dhe që do e prodhojë kompania farmaceutike AstraZeneca.

Sipas deklaratës, Greqia do të marrë 3 milionë doza të vaksinave kurse vetëm BE ka porositur 400 milionë të tilla. Në rajon, Maqedonia e Veriut gjithashtu tha se ka siguruar vaksinën pasi Polonia do i shesë një pjesë të stokut të saj. Nuk dihet ende për Shqipërinë. Lideri i PD, Lulzim Basha kërkoi disa ditë më parë planin e qeverisë për të siguruar vaksinën, dhe sot erdhi një përgjigje nga Ministrja Manastirliu dhe shefja e ISHP që thanë se po punohet në disa drejtime për të, por që do të zgjidhet ajo më e sigurta dhe më efikasja.