VIZITA KA NË FOKUS KRYESOR TË SAJ ZHVILLIMIN E EKONOMISË.Kryeministri Edi Rama, rikthehet në Beograd, në një vizitë, që ndryshe nga ajo e nëntorit, ka në krye të axhendës Ekonominë.Shefi i qeverisë shqiptare do të jetë këtë të martë në kryeqytetin serb, për të marrë pjesë në forumin e Kinës me vendet e Europës Lindore dhe Qendore.

Numri 1 i qeverisë shqiptare, do të shoqërohet në këtë samit, nga dy ministra, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i Transportit, Edmond Haxhinasto.Kryeministri, Edi Rama, deri më tani ka vlerësuar rritjen e ndjeshme, siç e ka cilësuar ai të komunikimit me Kinën.Si mikpritës i samitit, Beogradi zyrtar do ketë në tryezë, kryeministrin Aleksandër Vuçiç. Pritet të jetë interesant qëndrimi që do të mbajë kryeministri serb, ndaj homologut Rama, pas situatës së tendosur mes tyre, të krijuar në takimin e nëntorit. Ndoshta ky rikthim, mund të rekuperojë edhe atë qejfmbetje të Beogradit zyrtar ndaj Tiranës zyrtare.Në samit do jenë të gjithë kryeministrat e vendeve të rajonit, veç atij kroat, Zoran Milanoviç, i cili e bojkotoi për shkak të rikthimit në Serbi të ultranacionalistit Vojislav Sheshel, dhe deklaratat e radikale që ka kryer prej mbërritjes në Beograd.Samiti, në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, do të përbëjë një mundësi të mirë për të diskutuar për projektet që ka gjiganti aziatik për rajonin. Kina ka planifikuar të shpenzojë në vitet e ardhshme rreth 10 miliardë dollarë në formë investimesh në Europën qendrore dhe juglindore, kryesisht në infrastrukturë, për të lehtësuar mbërritjen e mallrave kineze në Europë. Shqipëria pritet të përfitojë pak ose fare pak nga këto projekte, pasi pritet që investimet të përqendrohen në korridorin 10 që kalon përmes Serbisë e Maqedonisë, dhe korridori 4, i cili kalon përmes Bullgarisë dhe Rumanisë. Konferenca do të monitorohet nga afër nga Bashkimi Europian, i cili është i shqetësuar për faktin se financimet kineze dhe politikat tregtare të vendit aziatik mund të sfidojnë rregullat e BE-së brenda territorit të vet. Pjesa më e madhe e vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore janë pjesë e BE-së, por shpresojnë shumë të përfitojnë nga fondet kineze. Kina, i ka kushtuar mjaft vëmendje këtij samiti, pasi delegacioni do të jetë i përbërë nga mbi 100 pjesëtarë dhe 200 biznesmenë që do të marrin pjesë në forumin ekonomik.