Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras ka folur për një zhvillim negativ që sipas tij po ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, konkretisht në Himarë. Duke folur nga Bukureshti gjatë një samiti mes 4 shteteve Greqi-Bullgari-Serbi-Rumani, Tsipras u shpreh se sot kishte marrë informacion lidhur me pronat e minoritetit grek në Himarë, por që këto të dhëna duhet të verifikohen.

Kreu i qeverisë greke la të nënkuptohej se nëse këto zhvillime negative janë të vërteta, atëherë Greqia do të bllokojë procesin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane.

Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat e vendeve të Ballkanit drejt perspektivës europiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, u shpreh Alexis Tsipras.

Sipas mediave greke, Kryeministri i referohej një informacioni që kishte marrë se Qeveria Shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare.

Artikulli paraprakKRYEMADHI TAKIM ME FERMERËT NË LUSHNJË: LSI, PRIORITET BUJQËSINË
Artikulli tjetërNUMËR REKORD MJEKËSH NË GJERMANI