Në një mbledhje maratonë që nisi rreth orës 18.00 kryesia e Partisë Demokratike po shqyrton ndryshimet në statutin e rregullave të funksionimit të saj.

Nga ajo që mësohet në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura është vendosur që në datat 28 dhe 29 prill të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të jetë statutor dhe jo zgjedhor.

Në mbledhje është prezantuar që në fillim një dokument politik prej Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani i cili parashikon disa ndryshime në statut.

Aty rekomandohet që do të jetë anëtarësia ajo që do të vendosë për listat e kandidatëve të kësaj force përpara zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale.

Por zërat kritikë në kryesi kërkuan që në statut të saktësohen rregulla të qarta për zgjedhjen dhe rikonfirmimin e kryetarit.

Sipas tyre duhet të jetë e qartë çfarë do të ndodhë me kryetarin nëse partia humbet zgjedhjet pasi në draft nuk parashikohet asgjë e tillë.