Kryesia e PS ka vendosur pasditen e sotme mbajtjen e zgjedhjeve në disa degë lokale të PS. Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe njëherazi kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u shpreh se do ketë zgjedhje në disa degë të bashkive të vendit, ndërsa veçanërisht, duke komentuar situatën e fundit në degën e PS Kukës, u shpreh se procesi do nisë edhe njëherë nga fillimi.

“Në disa bashki do kemi proces zgjedhor për drejtuesit e PS. Një nga pikat e rëndësishme ishte analiza e PS në bashkinë Kukës. Kryesia, pasi u njoh me rezultatet e auditit, mori vendimin që në Kukës të gjithë procesin e deritanishëm do ta fillojmë menjëherë nga fillimi. Do krijojmë një Asamble të re socialiste në Kukës pasi u vërejtën mangësi sa i takon barazisë gjinore etj. Partia më e madhe e shqiptarëve duhet të jetë e struktuar edhe në një qark apo bashki, ku duhet t’ju them se rezultati i PS në bashkinë Kukës ka qenë një rezultat shumë i mirë”, u shpreh Balla, ndërsa nuk dha përgjigje nëse Astrit Cengu dhe Ylber Duraku janë përjashtuar nga partia pas protestës kundër të deleguarit Safet Gjici në Kukës. Sekretari i Përgjithshëm i PS ftoi gjithashtu qytetarët që t’i bashkohen Platformës së Bashkëqeverisjes përmes portalit “Shqipëriaqëduam”, pasi sipas tij aty do të gjejnë zgjidhje për shqetësimet e tyre, ndërsa një tjetër çështje e diskutuar në kryesinë e PS ka qenë edhe çelja e zyrave të bashkëqeverisjes në 9 bashki ku aktualisht nuk ofrohet ky shërbim. “Qytetarët, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes kanë gjetur zgjidhje për problematikat, lidhur me shqetësime qoftë me qeverisjen lokale dhe atë qendrore. Aktualisht në më shumë se 52 bashki, zyrat e bashkëqeverisjes, në ndihmë të këtij procesi janë tërësisht efektive. Për 9 bashki iu kërkua drejtuesve politik të qarqeve, që këto receptorë të bashkëqeverisjes të jenë në punë, ku njerëzit në pamundësi për të hyrë direkt në portalin “Shqipëriaqë duam”, ta kenë atë përmes deputetëve.

Ju bëj thirrje qytetarëve që për një problem me faturën e energjisë, ujit, me hipotekën, ALUIZNI-n, shpreheni atë përmes portalit “Shqipëriaqëduam” dhe do të merrnin zgjidhje. Nga ky portal 30 punonjës hitepokash janë ndjekur penalisht pasi mbanin peng dosjet e qytetarëve, tregon që kjo funksionon”, u shpreh Balla.

Artikulli paraprakGRABITJA E PRONAVE NË SPILLE, LIROHET NGA QELITË ISH-NËNPREFEKTI I TIRANËS
Artikulli tjetërQËLLOHET ME ARMË ZJARRI GRUAJA SHQIPTARE