Trupi i pajetë i ekstremistit grek të vrarë në Bularat pas një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA, Konstandinos Kaçifas është kthyer në Gjirokastër.

Kanë qënë familjarët e tij, ata që kanë udhëtuar gjatë natës drejt Tiranës për të tërhequr trupin e 35-vjeçarit nga morgu i QSUT-së ku edhe ndodhej prej 11 ditësh.

Burime për Report Tv bëjnë më dije se trupi i tij është tërhequr rreth orës 15:30 nga agjencia mortore, ku edhe po përgatitej për t’u çuar në shtëpi. Të njëjtat burime bëjnë me dije se 35-vjeçari do të varroset i veshur me rroba ushtarake.

Ndërkohë bashkia e minoritetit grek të Dropullit në një mbledhje të jashtëzakonshme ka shprehur dëshirën për të paguar shpenzimet e varrimit të ekstremistit grek Konstandinos Kaçifas. Funerali për të do të mbahet nesër në orën 13:00 dhe do të paraprihet nga një meshë për nder të tij.

Pas firmosjes për tërheqjen e trupit të Kostandinos Kaçifas, ditën e djeshme nga Prokuroria ka reaguar për herë të parë edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ai u ka kërkuar të gjitha palëve që trupi i Kacifas të dalë sa më shpejt nga morgu dhe të niset drejt Bularatit për t’u kryer ceremonia mortore.

U lutemi të gjitha palëve që trupi i Konstandinos Kacifas të jepet për tu varrosur sipas traditës fetare. Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë.

Trupi i pajetë i minoritarit grek ndodhej në morgun e Tiranës, pas kërkesës së familjarëve për një ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë, pasi nuk i besonin asaj të Gjirokastrës.

Konstantinos Kacifa u vra nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë. Ai nuk pranoi të dorëzohej dhe për këtë arsye RENEA e qëlloi. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.

Pas vrasjes, familja pati pretendime për trupin e të riut, dhe akuzoi RENEA-n se fillimisht e kishte plagosur dhe më pas e kishte vrarë. Por, pasi pa trupin, avokati pranoi se i riu nuk ishte vrarë nga afër por nga larg.