Kryeministri Edi Rama tha gjatë një takimi me një pjesë të komunitetit të Lushnjes se rimbursimi për 600 mijë persona, të cilët nuk janë të siguruar, ka kapur shumën e 105 milionë dollarëve.

“Sa i takon medikamenteve, se këtu është çudi e madhe, sepse për fat të keq ekranet e televizioneve dhe të faqeve të informacionit janë të mbushura me krim, ne e kemi çuar

faturën e pagesës së ilaçeve për 600 mijë njerëz që nuk janë të siguruar në 105 milionë dollarë. Më parë, rimbursimi kapte pak më shumë se gjysmën e kësaj shume”, u shpreh Rama.

Ai përmendi si shembull konkret receptinën, ilaçin jetik për gratë dhe vajzat me kancer të gjirit.

“Merrej në te kaluarën me doza shumë të vogla dhe jepej me lekë ose me mik. Ne bëmë një negociatë me kompani të huaj se pse do donim të kishim një çmim të arsyeshëm për t’i ndihmuar këto gra, të cilat nuk e kanë mundësinë për ta blerë.

Sot, të gjitha gratë që kurohen nga kanceri i gjirit, marrin receptinën falas. Është një ilaç që ofron garancinë më të fortë ndaj kësaj sëmundjeje”, tha kryeministri.

Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përgatit një shtjellim pak më të detajuar, për të treguar sesa shumë para janë postuar nga arka e shtetit tek arka e familjeve.