Kulla e Azem Bejtës ndodhet në fshatin Galicë në Komunën e Vushtrrisë. E ndërtuar në vitin 1923, kulla mbetet njëra nga monumentet më të rëndësishme në Kosovë, e cila mban shumë histori në vete.

Historiani Izet Miftari tregon për historinë e kësaj kulle.

“Galica njihet si qyteti i lindjes së Azem Bejtës, një personalitet i përmasave gjithëkombëtare. Azemi u lind në vitin 1887, në një familje me traditë patriotike. Këtu ai u lind, rrit dhe mori kalitjet e para të atdhetarizmit.

Babai i Azemit, Bejta ishte vrarë në një betejë të viti 1907 kundër forcave xhonturke, me ç‘rast iu dogj edhe kulla, që ne historianët e vlerësojmë si djegia e parë e kullës së Azem Bejtës”, tha për RTV Dukagjinin, Izet Miftari.

Gjysma e saj ishte e ndërtuar nga guri, ndërsa gjysma tjetër nga tullat.
Rëndësia e kësaj kulle në atë kohë ishte e madhe, sepse shërbente si vend takim për të zgjidhur shumë çështje kombëtare.

“Rindërtimi i kullës së Azemit ka zgjatur rreth 1 muaj, por ajo digjet në vitin 1924 pasi thyhet zona e lirë e Drenicës.

Azemi e kishte lënë amanet që të mos varroset në ndonjë vend ku mund ta gjejnë pushtuesit serbë, prandaj me kërkesë të shokëve të tij ai hedhet në një shpellë në afërsi të Klinës, e cila ishte e thëllë disa metra.

Forcat serbe nuk munden të gjejnë trupin e tij”, tregon historiani Miftari.