Dy burra shqiptarë tani janë në burg për kultivimin e kanabisit në një shtëpi në Stoke-on-Trent në Angli. Ata punonin si ”kopshtarë” për fabrikën që ishte ngritur brenda shtëpisë, shkruajnë mediat britanike.

Liridon Mëhilli dhe Mufit Xhoka nga 25 vjeç, ishin brenda në shtëpi në rrugën Jackfield në Burslem, kur policia po kryente një kontroll. Të dy u përpoqën të arratiseshin por u kapën.
Bimët e kanabisit u zbuluan në papafingo: 45 bimë që do të prodhonin 2.47 kg kanabis të thatë.

Prokurori Jamie Scott tregoi në gjykatë se të dy u përpoqën të largoheshin nga pjesa e mbrapme e shtëpisë, por u kapën. E gjithë ajo pronë u kontrollua dhe u konstatua se ishte përdorur si fabrikë kanabisi.

Plehrat kimikë për rritjen e bimëve u gjetën në dhomën e gjumit në katin e parë. Aty kishte edhe një dollap rrobash me një vrimë në tavan, që të çonte në papafingo. Papafingo ishte veshur me fletë plastike. Kishte 9 llampa me nga 600 vat dhe 9 transformatorë elektrikë.

Sahati i energjisë ishte nxjerrë jashtë loje.
45 bimët e kanabisit që nuk kishin lulëzuar po rriteshin në papafingo. Ato ishin 10-12 javë larg pjekurisë dhe prej tyre do të nxirreshin 12.7 kg kanabis i thatë.
Të dy të pandehurit pa adresë fikse banimi u dënuan me burg për prodhim droge të klasit B.

Avokati i Xhokës tentoi t’ia zbuste dënimin, klientit të tij. Ai tha se Xhoka kishte hyrë në vend me një kamion nga Franca dhe nuk kishte leje të punonte legalisht në Britani.

‘’Ai ujiste bimët dhe paratë shërbenin për të shlyer borxhin e tij. Ai dëshiron të shkojë në Shqipëri, por është i shqetësuar se borxhi do ta ndjekë pas dhe në vendin e tij’, tha avokati.

Artikulli paraprakPLAGOSJE DHE PENGMARRJE, ARRESTOHEN AUTORET
Artikulli tjetërARRESTOHET NJE PERSON NE KERKIM