Kryeprokurorja e Perkohshme, Arta Marku, gjate nje takimi joformal ne zyre e saj. /r/n/r/nTemporary General Prosecutor Arta Marku, during an informal meeting in her office.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku i është përgjigjur me një letër publike akuzave të vartësve të saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda,

duke theksuar se ka marrë masa në detyrim të ligjit për të gjithë ata që refuzojnë pa asnjë shkak të ushtrojnë detyrën për të luftuar krimin e organizuar.

Marku: “Është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues,

për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend”.

Sipas zonjës Marku, prokurorët kanë refuzuar të marrin pjesë në hedhjen e shortit, duke nënvizuar se në “këtë mënyrë, këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues”.

Përveç shqetësimeve ligjore, zonja Marku ka edhe arsye etike që e kanë detyruar të urdhërojë nisjen e hetimit disiplinor ndaj tyre, duke shtuar se “nuk mund të rri duarkryq kur prokurorët e shtetit refuzojnë të ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore”.

Marku: “Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se vendimmarrja ime nuk ka cenuar asnjë çështje, qoftë në hetim apo në gjykim, në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Çështja Shullazi – Zonja Marku sqaron në letër për çështjen në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore. Në letër nuk sqarohet se kush është ky grup prokurorët dhe as emrat e tyre.

Marku: “Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj”.

Ndërkohë, prokurorët në letrën e tyre sqarojnë se prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes “Shullazi”, ndërsa prokurori Besim Hajdarmataj, më 18 shtator përmes një akti me shkrim, kishte shprehur vullnetin për të përfaqësues çështjen në fjalë.

“Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt,

jo më herët se data 18 shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente”, thuhet në letrën e prokurorëve.

Në fund të letrës, Arta Marku thotë se ka vetëm një të vërtetë

Marku: Për sa keni dëgjuar këto orët e fundit nga mediat dhe rrjetet sociale, nuk ka një të vërtetë tjetër përveç kësaj që unë sapo ju deklarova. Gjithçka tjetër është spekulim dhe frikë nga përballja me krimin e organizuar.

Prokurorët e ndershëm që ka Shqipëria sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen time, por edhe tuajën dhe unë jam e bindur se jemi në anën e duhur, jemi në anën e të mirës. Së bashku do ta fitojmë betejën me krimin.