Vllaznia ka fituar 1-0 ndeshjen e parë të Kupës ndaj Burrelit, një fitore që e çon Vllazninë shumë pranë kualifikimit për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Autori i golit te vetem te ndeshjes ka qene sulmuesi brazilian Ëenderson ne minuten e 25-te. Braziliani ka dhënë shenjën e parë me këtë gol të shënuar por Burreli nuk është një barometër dhe duhet pritur se çfarë gjendje do të tregojë në takimet e Superligës dhe nëse do të arrijë formën e mirë sportive që të jetë i gatshëm për stafin teknik duke qenë se deri më tani ka patur probleme kryesisht fizike.

Vllaznia në përballjen me Burrelin nuk ka shkuar me formacionin më të mirë por me ekipin e dytë për t’i dhënë mundësi aktivizimi të gjithë lojtarëve por edhe ata që kanë patur më pak minuta të tregojnë veten për një vend në formacionin e parë. Pavarësisht se me ekipin e dytë shkodranët arritën të fitojnë me Burrelin dhe pothuajse të mbyllin hesapet për kualifikimin në turin e dytë të Kupës. Takimi i kthimit do të jetë pas dy javësh në Shkodër dhe Vllaznia patjetër që ka objektiv një tjetër fitore dhe kalimin në turin tjetër e po ashtu më pas të paktën deri në gjysmëfinale duke qenë se shorti për kuqeblutë është treguar bujar këtë vit në takimet e Kupës.

Në përballjen ndaj Burrelit ka patur disa lojtarë të cilët kanë spikatur dhe që mund të jenë në konsideratë nga trajneri Mirsad Jonuz. Një shenjë pozitive ka dhënë portieri Laço ndërsa një lojë të mirë ka zhvilluar edhe 19 vjeçari Elmir Lekaj i cili është një lojtar që Vllaznia synon ta fitojë duke parë edhe rritjen e tij sportive. Shiritin e kapitenit e mbajti Bardulla i cili po ashtu ka treguar një formë më të mirë duke qenë se këtë sezon vjen pas një dëmtimi. Edhe sulmuesi Zogaj ka bindur stafin teknik. Këta lojtarë në përballjet e ardhshme duke nisur që nga takimi i fundjavës me Luftëtarin mund të jenë edhe pjesë e formacionit të parë.