BARCELONA KALON NË ÇEREKFINALE DHE GJEN ATLETICO-N. Fernando Torres rikthehet në Spanjë, tek ekipi që e bëri atë të famshëm, Atletico Madrid, por rikthehet gjithashtu edhe te goli pas një periudhe shterpësie tepër të gjatë, madje e bën këtë ndaj rivalëve të Real Madridit, duke u shënuar plot dy herë. 

Atletico Madrid ka eliminuar kështu Realin nga Kupa e Mbretit, pasi e kishte mposhtur në ndeshjen e parë 2-0 në “Vicente Calderon”, ndërkohë që ka barazuar 2-2 në “Santiago Bernabeu”, falë shpërthimit të ish-sulmuesit të Chelseat e Milanit. Për Realin shënuan Ramos në pjesën e parë dhe Cristiano Ronaldo në pjesën e dytë, duke u përgjigjur dy herë golave të shënuara nga Torres. Kështu pasi arriti të eliminoi Realin, Atletico Madrid do të përballet me Barcelonën në çerekfinale, pasi këta të fundit mposhtën me lehtësi edhe në ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit Elche-n me rezultatin 0-4 edhe pse Luis Enrique nuk kishte aktivizuar asnjë prej titullarëve të ndeshjeve të fundit. Vendasit ishin të pafuqishëm dhe u mposhtën që në pjesën e parë, ku Barcelona arriti të shënonte 3 herë me Mathieu, Roberto dhe Pedron. Në 45 minutat e dyta Barcelona u tregua disi më e kursyer, teksa shënoi vetëm një gol në minutat e fundit të takimit me brazilianin Adriano. Me 9 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar Barcelona kalon në fazën çerekfinale ku e pret një superndeshje.