Fitorja me shifrat 3-1 në ndeshjen e kthimit kundër Besëlidhjes nuk i ka mjaftaur Partizanit për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës. Kampionët në fuqi të Superligës nuk e kanë shmangur dot turpin duke u eliminuar në 1/8 nga një skuadër e Katgeorisë së parë si Besëlidhja.

Në takimin e zhvilluar në Elbasan Arena miqtë nga Lezha kaluan të parët në avatazh që në minutën e 5 me Hajdarin, por Partizani brenda një çerek ore lojë përmbysi me Bruno Telushin që fillimisht realizoi ‘dopietë’.

Më pas vlonjati realizoi edhe golin e tretë, por që gjithsesi nuk ishte i mjaftueshëm për të kaluar më tej si pasojë e humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.

Në këtë mënyrë u shmang derbi në çerekfinale me Tiranën, që sot fitoi 4-0 me Kastriotin, një kundërshtar që dy javë më parë e mposhti 1-3. Një kualifikim pa shumë mundim ka qenë edhe për Teutën, që pas fitores 1-2 në ndeshjen e parë edhe në takimin e dytë ia ka dalë të fitojë 3-1 kundër Erzenit.

Ndeshja tjetër e Grupit A të Kupës mes Flamurtarit dhe Vllaznisë ka përfunduar 0-2 në favor të shkodranëve, të cilët kanë siguruar edhe kualifikimin pas barazimit 2-2 në sfidën e parë.

Në Grupin B ashtu siç pritej pa probleme kanë kaluar për më tej Kukësi, Skënderbeu dhe Apolonia. Kukësi ka mposhtur me rezultatin e përgjithshëm 4-0 Lushnjën, Skënderbeu ka fituar me rezultat të përgjithshëm 3-0 kundër Besën, ndërsa Apolonia ka kaluar më tej falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë kundër Luftëtarit, pasi sfida e dytë është mbyllur në barazim pa gola.

Ndërkohë pavarësisht fitores 3-2 Laçi nuk ia ka dalë të kualifikohet, pasi në ndeshjen e parë në Ballsh kundër Bylisit është mposhtur 2-0. Ndeshjet e fazës çerekfinale do të luhen ndëmjet Tiranës dhe Besëlidhjes, Teutës dhe Vllaznisë, Bylist dhe Skënderbeut si dhe ndërmjet Kukësit e Apolonisë.