EKSPONENT I RËNDËSISH I PD-SË DHE ISH-DREJTUES I DISA INSTITUCIONEVE.
Ish drejtori i Aluiznit në Shkodër, Besnik Kastrati i arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës është një figurë e njohur që vjen nga radhët e politikës.

Fillimet e tij do ti kishte si gazetar pranë organit zyrtar të Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”. Nga aty për Kastratin do të niste një rrugëtim i gjatë si pjesë e të djathtës në Shkodër. Në moshë të re u zgjodh nga të rinjtë demokrat kryetar i forumit rinor të PD-së në Shkodër duke fituar një garë të fortë. Gradualisht Besnik Kastrati përveç politikës do të fokusohej në fushën e drejtësisë. Një avokat i ri i cili synonte që atëherë karrierën. Besnik Kastrati do të emërohej si sekretar në këshillin bashkiak. Më pas ka mbajtur rolin e drejtorit në Agjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të pronave deri sa kjo drejtori pushoi së ekzistuari duke qenë vetëm në Tiranë. Një tjetër përvojë do të ishte ajo në Ministrinë e Drejtësisë duke qenë sërish në profesionin e tij. Kastrati rikthehet në Shkoder dhe këtë herë emërohet si drejtor i Aluiznit në qytetin e Shkodrës, pozicion që nuk e mban shumë gjatë pas rotacionit qeverisës në vend pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Një vend mbet bosh në këshillin bashkiak për PD-në dhe emri i radhës në listë është pikërisht Besnik Kastrati i cili merr këtë detyrë që e ka mbajtur deri tani pak para arrestimit. Gjatë gjithë këtyre viteve Besnik Kastrati ka qenë një ndër eksponetët kryesor të Partisë Demokratike, sëfundmi një prej kandidatëve për kryetar të kësaj force politike. Tashmë Kastrati duhet të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij gjatë ushtrimit të detyrës si drejtor i Aluiznit.