Deputeti, Ditmir Bushati, ka folur sërish për situatën e krijuar në Shkodër pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një intervistë për DW, Bushati thotë se koha tregoi se infektimi i politikës nga të inkriminuarit shkon përtej ligjit të dekriminalizimit, ndaj thotë ai, duhet reformë e madhe brenda partive.

Bushati: Kemi pasur një diskutim në Kryesinë e PS për situatën që u krijua në Shkodër pas 30 qershorit. Do të vazhdojmë të kemi një diskutim dhe analizë edhe më të thelluar në këtë drejtim.

Përgjegjësia individuale dhe ligjore duhet të trajtohet e ndarë nga përgjegjësia politike që kemi ne të gjithë si politikanë por edhe si forcë politike për tu ofruar qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi njerëzit e duhur që do ti përfaqësojnë ata në të gjitha institucionet përfaqësuese të shtetit qoftë në nivelin qëndror apo vendor.

Është e vërtetë që PS, por edhe forca të tjera politike, në të shkuarën janë prekur nga ky virus, kjo është dhe arsyeja pse fillimisht miratuam një rezolutë në kuvendin e Shqipërisë dhe më pas kjo rezolutë u përkthye në një ligj të detyrueshëm që është goxha strikt nga pikëpamja e kritereve që parashikon.

Por ja ku jemi pas disa vitesh nga miratimi i këtij ligji. Fakti që kjo lloj sëmundje, ky lloj vesi nuk është trajtuar në rrugën e duhur duhet të na shtyjë të mendojmë që jeta politike në Shqipëri ka nevojë për një reformë më të madhe dhe ne nuk duhet të kemi frikë nga gara në radhë të parë brenda partive tona politike. Reformimi i mëtejshëm i jetës politike do të jetë një ilaç edhe për këtë virus që ka prekur politikën.

I pyetur mbi planet për të ardhmen, Bushati thotë se përkundër mendimit kritik ai ka projekt tjetër politik përpos PS-së.

Bushati: Jam anëtar i Kryesisë së PS, deputet. Sot më shumë se asnjëherë tjetër është përgjegjësia ime për të vazhduar për të kontribuar për projektin e PS. Fakti që sot për sot kam artikuluar jo vetëm brenda strukturave por edhe publikisht disa qëndrime që mund të përceptohen disi të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së PS nuk do të thotë se kam projekt tjetër përveçse kontributitit brenda PS.

Vetëkorrigjimi është një proces fiziologjik për çdo forcë politike sidomos kur je në vitin e 7 të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi dhe do të krijonte mundësi për të kthyer shpresën që është tropitur në disa raste, mund të jetë vrarë në raste të tjera.

PS i ka të gjitha mundësitë për të qenë promotore e ndryshimit, i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm forca e progresit dhe intelektit, por edhe forca e komuniteteve.

Rasti i Shkodrës na mëson që në procesin vendimmarrës duhet të përfshijmë më shumë komunitetin dhe jo t’ja besojmë ato një grupi të ngushtë njerëzish, qoftë edhe drejtuesve politik të PS-së.