Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin për Korporatën e Investimeve me 77 vota pro, 19 deputetë votuan kundër ndërsa 3 abstenim. Gjithashtu u miratua edhe buxheti faktik për vitin 2018 me 79 vota pro, 20 kundër dhe 3 abstenim.

Por cfarë është Korporata e Investimeve?
Korporata e Investimeve është një institucion i ri që do të krijohet me detyrë e menaxhimit të pronave të shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar. Korporata e Investimeve Shqiptare do të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve.

Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.

Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga Shteti me infrastrukture ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion.

Drafti i miratuar sot u ndryshua dhe reflektua pas kritikave të Bankës Botërore dhe FMN-së lidhur me prokurimet duke marrë miratimin e Komisionit Europian. Neni u ndryshua rrënjësisht duke qartësuar se për projektet me partnerë ndërkombëtarë do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve, ndërsa për ato me financim të brendshëm do të zbatohet ligji shqiptar.