Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si “atak ndaj pavarësisë”, sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Në një reagim të tij përmes rrjeteve sociale, Mustafa ka thënë se “akujt nuk i lejohet që të terrorizojë institucionet e vendit”, duke cilësuar Kuvendin si “organin më të lartë legjislativ dhe simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik”. Kryeministri i Kosovës i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin dhe që kryesit e veprës të dalin përpara drejtësisë. Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për organet e ndjekjes për të zbardhur rastin. Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po ashtu edhe autorët e tij. Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës. Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit. Sulmi në ndërtesën e Kuvendit erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Të enjten qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion, pas një debati shume orësh shkencor-profesional të organizuar në Kuvend me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe shoqërisë civile. Nisja në Kuvend e projekt ligjit ngjalli reagimin e serishëm të opozitës e cila kërkoi që të mos futej në votim i njëjti. Megjithëkëtë vlerësohet se marrëveshja për demarkacion mund të votohet në Kuvend brenda pak ditësh. Marrëveshja për demarkacion u shndërrua në kushtin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, pas rekomandimit për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve nga Kosova në vendet e BE-së.

Artikulli paraprakEUROPA LEAGUE, SHKËNDIJA NË “PLAY-OFF”
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT, TEMPERATURAT DERI NË 40 GRADË C