Një sasi prej 1 kg e 864 gramë heroinë dhe 200 gramë kokainë, janë sekuestruar nga policia në kuadër të një operacioni të koduar “Laboratori”.

Në pranga përfunduan shtetasit me iniciale F. N., 30 vjeç, i dënuar më parë, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, dhe P. P., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht tre persona të tjerë, për mos kallëzim krimi.

Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në policinë e Tiranës, kishte marrë informacione në rrugë operative nga burime të ndryshme, për shtetasin F. N., i cili në bashkëpunim me persona të tjerë,

dyshohej se tregtonin lëndë narkotike të llojit “heroinë dhe kokainë” në zonën e Tiranës për llogari të 30 vjeçarit.

“Pas një punë të mirëfilltë profesionale me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,

u bë e mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal në fushën e narkotikeve në drejtim të dograve të forta, Heroine dhe Kokaine,

që ushtrohej nga shtetasit F. N. me pseudonimin “Loli Veres” dhe P. P. me pseudonimin “PIPO”, të cilët në bashkëpunim me njëri- tjetrin shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme lënde të dyshuar Heroinë dhe Kokainë”, sqaron policia.

Për këtë aktivitet kriminal personat kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzerien, ambalazhim, e lëndës narkotike Heroine dhe Kokaine dhe më pas ua shisnin klientëve në doza të vogla.

Në momentin e ndërhyrjes shtetaseve F.N dhe P.P gjatë kontrollit fizik policia u ka gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike në formë dozash, ku më pas kontrolli ka vijuar në banesa ku gjithsej janë gjetur e sekuestruar rreth 1 kilogramë e 864 gramë Heroinë, nga kjo sasi një pjesë ishte e përgatitur në 353 doza, 202 gramë Kokainë, rreth 50 mijë lekë , peshore elektronike, frulator grirës, sitë e sende të tjera që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.